Nga Gazeta ‘Si’- Gati 4 muaj pas zgjedhjeve të 11 majit, ku u aplikua për herë të parë vota e diasporës, kompania DHL që bëri shpërndarjen e fletëve të votimit, nuk ka marrë ende asnjë pagesë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Me një kërkesë që mban datën 1 shtator, kompania e shërbimit postar i kërkon KQZ pagesën 8.6 mln euro deri në fund të shtatorit, ose në të kundërt do duhet të paguajnë 260 mijë euro kamatëvonesa.
Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thonë se janë ende në proces verifikimi nëse kompania postare ka zbatuar të gjitha klauzolat kontraktuale në momentin e ofrimit të shërbimit, ndaj nuk ka kryer asnjë pagesë.
“Jemi të gatshëm të heqim dorë nga pagesa e kamatëvonesave të maturuara ndërkohë, nëse nga ana e Institucionit Tuaj do të merren masa për kryerjen e pagesës së detyrimit principal sipas Kontratës së Shërbimit brenda 15 ditëve nga marrja dijeni e kësaj shkrese” shprehet DHL.
Vota e diasporës u implementua për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, por problematikat e konstatuara duket se nuk lidhen vetëm me kundërshtimin politik të tyre nga opozita, e cila i kontestoi në të gjitha hallkat ankimore zgjedhore, por tashmë zyrtarisht edhe në administrimin e procesit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




