Gazeta Si – Diçka duhet të ketë gabuar Donald Trump. Ai kërkon të kufizojë ndikimin e Kinës në botë, të ndajë Moskën nga Pekini dhe që India të ndalojë blerjen e naftës ruse me çmime të ulta.
Samiti i mbajtur të dielën në Tianjin, në Republikën Popullore kineze, dërgoi një mesazh: asnjë nga dëshirat e tij nuk po realizohet.
Jo vetëm kaq: atij iu tregua gjithashtu se si vendi që për njëzet vjet ka qenë bastioni i strategjisë amerikane për të frenuar zgjerimin e hegjemonisë kineze në Azi – India – në vend që t’i përulet urdhrave të Uashingtonit, rehatohet mes buzëqeshjeve dhe shtrëngimeve të duarve, në shfaqjen e organizuar nga Xi Jinping.
Nuk është se takimi i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait prodhoi ndonjë vendim të madh. Kryesisht, ishin takime dypalëshe, mes udhëheqësish që i shohin Shtetet e Bashkuara me armiqësi, dhe, mbi të gjitha, një pasarelë përqafimesh për t’i thënë shprehimisht presidentit Trump dhe administratës së tij se një pjesë e madhe e botës po organizohet për t’i dhënë fund rendit ndërkombëtar të përqendruar në Pax Americana.
Ministry of Foreign Affairs of Russia posted a video of Kremlin News on its X account on September 1, showing President of Russia Vladimir Putin and Prime Minister of India Narendra Modi in a conversation hand in hand just before the start of the #SCO2025 Summit. pic.twitter.com/UDI6a9HQM7
— Global Times (@globaltimesnews) September 1, 2025
Vetë Xi foli. Pika kulmore e performancës kineze ishte prania e kryeministrit indian Narendra Modi në shfaqje, duke luajtur një rol kyç.
Jo se Delhi nuk ka se për çfarë të përgjigjet, në nivel ndërkombëtar. Fakti që ka blerë lirisht naftë bruto, që kur nisi sulmi i Vladimir Putinit ndaj Ukrainës, duke ndihmuar kështu në mënyrë efektive në financimin e pushtimit, nuk mund të shpjegohet thjesht si çështje interesi kombëtar, pa marrë parasysh pasojat diplomatike që kjo sjell.
Megjithatë, me Indinë, presidenti amerikan ka treguar se nuk është as përafërsisht ai magjistari i arritjes së marrëveshjeve, siç mburret se është.
Kushdo që zgjedh të hyjë në një mosmarrëveshje me dikë duhet ta dijë që në fillim, se sa larg mund të shkojë ai dikush.
Trumpi vendosi fillimisht tarifa prej 25% për indianët në hakmarrje për barrierat që Delhi vendos në tregti, duke përmendur në mënyrë të qartë produktet bujqësore.
Fakti është se nëse Modi ndalonte mbrojtjen e sektorit bujqësor, nga i cili varen 60% e indianëve për jetesën e tyre, ai do të ishte një politikan pa të ardhme.
Po kështu, nëse ai do t’i bindej urdhrit të Uashingtonit për të ndaluar blerjen e naftës ruse, nën dënimin e një tarife tjetër prej 25%, Modi do të tregonte një shenjë dobësie që do të ishte shkatërruese për të në një vend ku nacionalizmi është tipari më i popullarizuar politik.
Me fjalë të tjera, kryeministri indian nuk mund ta pranonte diktatin amerikan pa kryer vetëvrasje. I zënë midis përballjes së menjëhershme me pasojat e tarifave 50% dhe përgatitjes së vetes, ai zgjodhi të shkonte dhe të shtrëngonte duart me njeriun që konsiderohej kundërshtari i tij kryesor nga establishmenti amerikan, Xi.
Ai nuk kishte qenë në Kinë për shtatë vjet, por e bëri tani: diçka më shumë sesa shkopinj ndër rrota për Trumpin.
A është ky një afrim midis Delhit dhe Pekinit? Për më tepër, a janë India dhe Kina, siç tha Xi, “partnerë, jo kundërshtarë”?
Natyrisht, takimi i Tianjinit nuk hapi një rrugë që mund të çonte në një aleancë. Së pari, sepse një gur themeli i padiskutueshëm i politikës së jashtme të Delhit është se miqësitë krijohen dhe partneritetet farkëtohen për çështje specifike, por aleancat nuk diskutohen. Me askënd.
India dëshiron të jetë një fuqi e madhe, duke besuar se është në rrugën e duhur sepse bota e njeh atë: dhe një fuqi e madhe nuk ka nevojë për aleanca derisa ato të vendosen.
Së dyti, sepse – përveç mosmarrëveshjeve mbi kufirin e Himalajeve, të cilat herë pas here përshkallëzohen në përplasje të dhunshme midis ushtrive të dy vendeve – Delhi dhe Pekini kanë interesa strukturore të ndryshme në Azi dhe pellgun Indo-Paqësor, ku vitet e ardhshme ka të ngjarë të vendosin se kush do ta ketë hegjemoninë.
India nuk e përtyp kollaj, zgjerimin kinez në detet “e saj” dhe përreth, qoftë në Sri Lanka, Maldive, Myanmar, për të mos përmendur Pakistanin.
Ekziston edhe një arsye tjetër, jo e parëndësishme, pas udhëtimit të Modit në Kinë. Delhi dhe Pekini po konkurrojnë hapur për lidership në të ashtuquajturin Jug Global, domethënë, vendet në zhvillim që nuk janë të lidhura me Shtetet e Bashkuara, por as me Pekinin.
Përballja po zhvillohet kryesisht në kuadër të BRICS-it. Por Modi shkoi gjithashtu në Tianjin për t’u siguruar që, përpara të gjithë udhëheqësve të kombeve jugore të pranishme, shfaqja nuk do të ishte vetëm për Xi Jinping. Ndërsa Trump shikon gjithçka në Tv.
Marrë nga: “Corriere della Sera”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



