Mendim

Mos t’ju duket çudi që edhe shteti ka faj tek vrasja në Maliq  

Një tjetër i ri humbet jetën për një “shikim të gabuar”, një tjetër thikë përdoret si “argument”. Kjo nuk është vetëm një tragjedi personale, por simptomë e një sëmundjeje më të thellë. Por do të ishte një tjetër vrasje nëse kulturën shoqërore/qytetare do ta ndanim nga kultura shtetërore dhe demokracia që kemi ndërtuar. Vrasja se” pse më shikon” është edhe dështim i modelit të shtetit dhe boshllëku i një demokracie që ekziston vetëm në letër. Në një shoqëri ku ligji është i fortë vetëm me të dobëtit, ku padrejtësitë ndëshkohen vetëm kur bëhen virale, dhe ku të fuqishmit bëjnë ligjin pa u shqetësuar për pasojat, nuk është çudi që forca fizike kthehet në mënyrë jetese. Kur shteti nuk është model autoriteti, rruga krijon modelin e vet: një “shtet paralel” ku mbijetesa varet nga sa i frikshëm dukesh, jo sa i drejtë je.

Demokracia që duhet të formonte qytetarë të vetëdijshëm, të barabartë përpara ligjit dhe të aftë për të bashkëjetuar në dallim, është kthyer në një fasadë, një lojë pushteti që nuk ndikon realisht në jetët e njerëzve. Kur institucionet duken të largëta, të korruptuara, ose të padobishme, të rinjtë humbasin besimin. Pa besim tek shteti, krenaria individuale deformohet në mburojë mbijetese, ndërsa respekti humbet çdo kuptim të natyrshëm dhe kthehet në diçka që merret me frikë, jo me dinjitet.

Ky boshllëk nuk e mbush as shkolla, as familja, as media – sepse edhe ato shpesh janë pjesë e të njëjtit sistem të kalbur, që nuk mëson durimin, dialogun dhe vetëkontrollin, por hesht përballë dhunës dhe glorifikon “të fortin”. Ky nuk është vetëm problem i të rinjve, por një dështim kolektiv: i politikës që ka menduar vetëm për karrigen e vet, i institucioneve që kanë mbijetuar duke u shtirur, dhe i një shoqërie që është mësuar ta respektojë atë që trembet, jo atë që meriton.

Nëse duam të ndalim këtë rënie, nuk mjafton të dënojmë rastin. Duhet të rindërtojmë me themel  vetëdijen qytetare, të rikthejmë funksionimin real të shtetit, dhe të kultivojmë një demokraci që jetohet në përditshmëri, jo vetëm në fjalime. Kështu mund të mësojmë sërish se krenaria nuk është thikë në brez, por forcë për të mos e përdorur atë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë