Ngjarje

Zjarret nën kontroll, 23 vatra aktive në vend. Syri i Kaltër dhe Fushë-Arrëzi pikat më kritike

Gazeta Si – Ministria e Mbrojtjes njoftoi pasditen e kësaj të enjteje se situata nga zjarret në vend paraqitet më e stabilizuar në shumë zona problematike, pas angazhimit të forcave të emergjencës.

Aktualisht janë raportuar 23 vatra zjarri aktive, ku po vijojnë operacionet për shuarjen e tyre. Ndër pikat më kritike është Syri i Kaltër në Delvinë, ku mbi 200 forca, 11 automjete zjarrfikëse dhe avioni italian “Canadair” po luftojnë me flakët në Malin e Sopotit.

Në Poliçan, në zonat Zhapokikë, Plashnik dhe Rezervati Balloll, dje u evakuuan 20 banorë, ndërsa sot në terren po operojnë tre helikopterë, dy nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe një nga Çekia.

Në Velçan të Beratit, ndërhyrja e shpejtë nga toka dhe ajri shmangu rrezikun për banesat, ndërsa dy helikopterë të Forcës Ajrore dhe forcat e ushtrisë vijojnë punën për neutralizimin e plotë të vatrës.

Situata e rëndë vijon në Fushë Arrëz, ku mbi 150 forca po përpiqen të ndalojnë përhapjen e flakëve drejt zonave malore.

Edhe në Mali me Gropa, Tërnovë, Gramsh, Himarë, Selenicë dhe Mirditë, zjarrfikësit, forcat e ushtrisë dhe vullnetarët po punojnë për shuarjen e vatrave, në kushte të vështira terreni.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë