Mendim

Korrupsion në emër të Anti-Korrupsionit…

Muajin e shkuar, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy nënshkroi një ligj ku i jepte fuqi prokurorit të përgjithshëm mbi dy agjenci jetike për shtetin: Byronë e Anti-Korrupsioni dhe Prokurorinë Speciale Anti-Korrupsion. Të dyja u ndërtuan me shumë optimizëm në vitet 2013-2014, me mbështetjen e perëndimit.

Mijëra ukrainas dolën në rrugët e Kievit dhe qyteteve të tjera me sloganë “korrupsioni vret” dhe “Ukraina nuk është Rusia”. Këto ishin demonstratat më të mëdha në vend që prej pushtimit rus në 2022-shin.

Ligji provokonte dhe nje krisje midis Kievit, BE-së dhe FMN-së. BE-ja mund të pezullonte ndihëm 60 mld euroshe për Ukrainën.

Në total, një mbështetje 60 mld euroshe nga BE-ja rrezikonte të “ngrihej”. Dhe më pas erdhi fytyra e volitshme e Zelenskyy. Në vend që të këmbë ngulte, ai ndryshoi kursin, duke rikthyer pavarësinë për të dyja agjencitë.

Rezultoi se protestat masive dhe presioni ndërkombëtar janë strategjia perfekte për të mbrojtur demokracitë. Por Brukseli duhet të jetë i kujdesshëm që të mos dashurohet me agjencitë anti-korrupsion. Jo të gjitha janë njësoj.

Ndërkohë që ukrainasit protestonin, bullgarët dolën në rrugët e Sofies kundër abuzimeve të komisionit Anti-Korrupsion në Bullgari dhe kërkuan mbylljen e saj. Arrestimi i ndikuar politikisht i kryebashkiakut të Varnës bëri që komisioni të duket si një instrument politik që tani përdoret për të diskredituar dhe minuar opozitën.

Në fakt, liderët që po kërkojnë mbylljen e saj janë po ata që e dizajnuan dhe i dhanë fuqinë për të investiguar dhe për të arrestuar. Pra a do të thotë kjo se ne mbështesim trupat anti-korrupsion kur zbulojnë mëkatet e kundërshtarëve, por i dënojmë kur zbulojnë miqtë tanë, apo diçka tjetër?

Protestat në Bullgari tregojnë se qytetarët janë në dijeni të efektit gërryes që ka korrupsioni, por ata kuptojnë edhe dëmin që shkaktohet kur institucionet përdoren për të sulmuar individë.

Përballë dilemës për të përfunduar luftën apo për ta vazhduar, Zelenskyy është i frikësuar se akuzat për korrupsion ndaj aleatëve të tij, rrezikojnë qeverinë e tij. Shumë qytetarë fajësojnë korrupsionin për shkatërrimin e vendit dhe problemet me ushtrinë.Ata gjithashtu kanë frikë se këndvështrimi i zymtë për rezultatin e luftës mund të rrisë rrezikun e vjedhjes në vende të larta. Për një zyrtar qeveritar që ndihet i kërcënuar në shtëpi, një strehë jashtë vendit mund të duket joshëse.

Kur kërkon të konsolidojë pushtetin e tij me këtë legjislacion të ri, Zelenskyy ndoshta po mbështetej në përbuzjen e Trump për agjencitë kundër korrupsionit dhe ngurrimin e përgjithshëm europian për të kritikuar Ukrainën. Por kjo llogaritje doli e gabuar. Ai e lexoi keq Europën – dhe më keq, e lexoi keq shoqërinë e tij. Lëvizja e tij ishte një gabim i padetyruar dhe një dhuratë e paparashikuar për Rusinë.

Ajo që i shqetëson ukrainasit nuk është vetëm imuniteti i dukshëm i atyre në pushtet, por edhe mundësia që institucionet kundër korrupsionit, nëse kapen, mund të bëhen një instrument për të përmbysur demokracinë – siç e dinë shumë mirë bullgarët e të gjitha shtresave politike.

Qytetarët në rrugët e Sofjes duhet t’ua bëjnë të qartë udhëheqësve të tyre dhe atyre në Bruksel, se dizajni institucional nuk është i mjaftueshëm për të garantuar që të ashtuquajturat institucione të pavarura janë në fakt të pavarura. Protesta publike duket se është kufiri i fundit i mbrojtjes jo vetëm kundër korrupsionit, por edhe kundër një abuzimi të tillë të pushtetit.

Plani i rrezikshëm i Zelenskyy për të nënshtruar agjencitë kundër korrupsionit ka të ngjarë të nxitet nga dëshira e tij për të mbrojtur besnikët e tij që përballen me hetimin. Por shembulli bullgar sugjeron se disa qeveri kanë motive më të errëta: qeveritë, veçanërisht ato nën presion, janë të interesuara të kontrollojnë agjencitë kundër korrupsionit jo thjesht sepse duan të garantojnë imunitet ndaj besnikëve të tyre, por sepse duan të praktikojnë drejtësi selektive dhe të ndjekin kundërshtarët e tyre.

Kur Karl Lueger – kryebashkiaku i Vjenës në fillim të shekullit të 20-të – u akuzua se punonte me shumë hebrenj ndërsa predikonte antisemitizmin, ai deklaroi me famë: “Unë vendos se kush është hebre”. Nëse qeveritë e korruptuara sot marrin fuqinë për të vendosur se kush është i korruptuar, demokracia nuk do të ketë asnjë shans. 

Shkruar nga Ivan Krastev, ekspert i politikës, për Financial Times*. Titulli origjinal: When anti-corruption campaigns become corrupted 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë