Mjedis

Raporti: Bota është në ‘krizën e plastikës’, kërcënim në rritje që shkakton sëmundje nga fëmijët deri tek të moshuarit

Një raport i ri ekspertësh, i publikuar në revistën mjekësore prestigjioze The Lancet, paralajmëron se plastika përbën një “kërcënim serioz, në rritje dhe të nënvlerësuar” për shëndetin e njeriut dhe të planetit.

Bota është në një “krizë plastike”, e cila po shkakton sëmundje dhe vdekje nga foshnjëria deri në pleqëri dhe është përgjegjëse për të paktën 1.5 trilion dollarë në vit në dëme shëndetësore.

Shkaku i krizës është një përshpejtim i madh i prodhimit të plastikës, i cili është rritur me më shumë se 200 herë që nga viti 1950 dhe pritet të trefishohet përsëri në më shumë se një miliard ton në vit deri në vitin 2060. Ndërsa plastika ka shumë përdorime të rëndësishme, rritja më e shpejtë ka qenë në prodhimin e plastikës njëpërdorimëshe, siç janë shishet e pijeve dhe enët e ushqimit të shpejtë.

Për pasojë, ndotja plastike është përhapur në gjithë globin. Aktualisht, mbi 8 miliardë tonë plastikë ndotin mjedisin, ndërsa më pak se 10% e saj riciklohet.

Raporti thekson se plastika paraqet rrezik për njerëzit dhe natyrën në çdo faze, që nga nxjerrja e lëndëve djegëse fosile prej nga ajo prodhohet, tek procesi i prodhimit, përdorimi dhe deri te asgjësimi. Këto procese çojnë në ndotje të ajrit, ekspozim ndaj kimikateve toksike dhe përthithje të mikroplastikave në trupin e njeriut. Ndotja plastike mund të krijojë edhe kushte të favorshme për përhapjen e mushkonjave bartëse të sëmundjeve, duke u bërë strehë për shumim në mbeturinat plastike me ujë të ndenjur.

Profesor Philip Landrigan, epidemiolog dhe autor kryesor i raportit, thotë se ndikimet janë më të theksuara tek grupet vulnerabël, veçanërisht foshnjat dhe fëmijët e vegjël. Ekspozimi ndaj plastikës shoqërohet me rrezik të shtuar për abort, lindje të parakohshme, defekte të lindjes, probleme me zhvillimin e mushkërive, kancer të fëmijërisë dhe vështirësi me fertilitetin në moshë madhore.

Industria e plastikës dhe vendet prodhuese të karburanteve fosile argumentojnë se zgjidhja qëndron në riciklim. Por ndryshe nga materialet si letra apo qelqi, plastika është kimikisht komplekse dhe shumë e vështirë për t’u ricikluar në mënyrë të qëndrueshme.

Raporti ka dalë në përfundimin se “bota nuk mund të riciklojë dot krizën e ndotjes nga plastika.”

Mbi 98% e plastikës prodhohet nga nafta, gazi dhe qymyri. Procesi energjetik i prodhimit lëshon rreth 2 miliardë tonë CO2 në vit, më shumë se sa emetimet totale të Rusisë. Më shumë se gjysma e mbetjeve plastike të pa menaxhuara digjen në natyrë, duke rënduar ndotjen e ajrit.

Raporti është pjesa e parë e një serie analizash që do të ndihmojnë qeveritë të hartojnë politika efektive kundër ndotjes plastike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë