Me ndeshjet Luftëtari-Partizani dhe Kukësi-Kastrioti është mbyllur faza e dytë e Superligës Shqiptare. “Të kuqtë” janë ndalur në barazim 1-1 në përballjen me ekipin gjirokastrit, ndërsa Kukësi ka marrë tre pikët e radhës me skuadrën krutane, e cila tashmë duhet të gjejë trajner të ri pas largimit të Stavri Nicës. Për Partizanin ky rezultat nuk ka ndryshuar asgjë në renditje, pasi vijon të jetë në krye të tabelës, ndërsa Kukësi tashmë është ngjitur në shkallën e dytë të podiumit.

Përballja në Gjirokastër, ashtu siç pritej ka dhuruar një betejë të vërtetë sportive, por nuk ka nxjerrë asnjë prej ekipeve fituese. Skuadra e Gegës do e gjente e para golin e avantazhit në minutën e 36’. Do të ishte Esat Mala që mposhti portierin vendas dhe zhbllokoi sfidën. Në pjesën e dytë Luftëtari do të hidhej i gjithi në sulm në kërkim të golit të barazimit, i cili nuk vonoi shumë.
Në minutën e 51’, Ymeraj mposhti Alban Hoxhën, duke i barazuar shifrat. Në minutat e mbetura të dyja ekipet provuan për ta fituar ndeshjen dhe në fakt i patën rastet, por pa mundur dot që t’i shfrytëzonin siç duhej. Me këtë barazim, Partizani i nis pushimet si vendi i parë dhe me tre pikë diferencë nga vendi i dytë, ndërsa Luftëtari është disi më i qetë pasi është 2 pikë sipër Kamzës që është në vendin e parafundit.

Në përballjen tjetër të luajtur në “Elbasan Arena”, Kukësi nuk e pati shumë të vështirë të merrte tre pikët më Kastriotin. 2-0 është mbyllur sfida në favor të verilindorëve që tashmë e shohin veten në vendin e dytë, vetëm 3 pikë më pak se Partizani dhe gati për të filluar luftën për titullin kampion. Për Kukësin në fillim shënoi Limaj në minutën e 2-të, më pas Rexhinaldo shënoi golin e dytë dhe deri në fund ndeshja nuk ndryshoi rezultat.
Kjo fitore e Kukësit ka sjellë largimin e radhës për trajnerët e Superligës, teksa Stavri Nica ka deklaruar dorëheqjen nga drejtimi i Kastriotit. Tekniku 64-vjecar ka lëshuar akuza të ashpra në drejtim të lojtarëve, duke thënë se nuk dëshiron të bëhet pjesë e kësaj farse. “Nuk e kam unë në karakter që skuadra të sillet si të dojë dhe ti pësojë golat kur të dojë. Nuk shoh perspektivë dhe e mbyll këtu me Kastriotin. Nuk mund të sakrifikoj veten për lojtarë tekanjoz. Detyrohet të tërhiqem.”- tha Nica pas ndeshjes.
Renditja e Superligës pas fazës së parë:

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





