Nga Liridon Mulaj- Që nga hartat etnografike, të krijuara me materiale tekstile, tek dokumentarët e kohës së diktaturës e deri tek poezitë apo videoartet mbi Çamërinë dhe kujtesën, Vila 31 për të dytën herë brenda vitit shndërrohet në një galeri të artit pamor.
Nga një dhomë në tjetrën dhe nga një holl në tjetrin, teksa vila përshkohet nëpërmjet korridoreve të mëdha e me dritë të shfaqen instalacione dhe ekrane të mëdha me video dhe zëra të cilët nëpërmjet imazhit audioviziv përpiqen të jenë pjesë integrale e ambienteve të asaj shtëpie, në të cilën për shumë vite me radhë, diktatori jetoi vitet kulminante të jetës dhe pushtetit të tij.

Ky fakt duket sikur te artistët krijon një lloj makthi psikologjik, sidomos tek artistët e rinj shqiptarë, të cilët edhe pse nuk e kanë jetuar atë kohë dhe dinë shumë pak për diktatorin, rrëfenjat e prindërve apo edhe gjyshëve ua kanë rrëfyer deri diku tmerrin e diktaturës.
Këtë fakt e cek edhe artisti shkodran Kajro Urovi, i cili studion fotografi në Londër. I lindur në Itali dhe i zhvendosur në Londër në moshën 14-vjeçare, ai thotë për GazetaSi.al se si reagoi gjyshja e tij shkodrane kur mori vesh se nipi i saj do të flinte në vilën e ish-diktatorit.
“Gjyshja u habit shumë kur i thashë se do të flija për tre muaj në shtëpinë e Enver Hoxhës. Ajo më ka rrëfyer herët historinë e saj personale në komunizëm. Por për kontekstin për të cilin unë gjendem këtu, gjërat janë paksa ndryshe sot.”
Urovi thotë se puna e tij artistike ka lidhje me objektet e gjetura përreth vilës nga kopshtari i saj në vitet e diktaturës. Diçka që e shtyu atë drejt njohjes së diktatorit në një kontekst tjetër, atë të kohës së tij.

“Objektet që unë kam ekspozuar janë disa objekte të cilat kopshtari që punonte këtu në vitet ’80 i ka gjetur në ambientet përreth dhe i ka ruajtur deri më sot. Në ekran mandej kam shfaqur intervistën e kopshtarit Bajram Hysaj, i cili rrëfen për kohën dhe vendin ku i gjeti objektet. E gjithashtu ai rrëfen për kohën kur punonte si kopshtar dhe ndante ditën e tij me familjen e diktatorit”, thotë Urovi.
Kajro, i cili jeton në dhomën ku dikur jetonte Nexhmije Hoxha, thotë se rrëfimi i kopshtarit ka qenë interesant, por dhe e kuriozonte për të kuptuar më mirë kontekstin e kohës kur vila ka qenë në funksion.

Por në vilë ka edhe punë artistike të cilat kërkojnë të rikthejnë sërish vëmendjen nga çështje të rëndësishme kombëtare, siç është edhe Çamëria, një çështje e pazgjidhur prej thuajse 80-vitesh. Artistja çame, Erdiola Kanda Mustafaj, e cila jetën e saj e ndan mes Italisë dhe Francës, thotë për GazetaSi.al se rikthimi te rrënjët nëpërmjet punës së saj me titull “Kthim nga Çamëria” dhe qasja të cilën ajo ka për vendlindjen e paraardhësve, vjen në një tjetër prizëm, në të cilin nuk është trajtuar më parë: nëpërmjet artit pamor, instalacionit, poezisë dhe dokumenteve që dëshmojnë për kohën.
“Pika e rëndësishme prej së cilës jam nisur është prejardhja ime çame. Unë e nisa këtë studim për të sjellë një narracion ndryshe, parë nga narracioni shqiptar por edhe ai grek, të cilin nuk kam arritur ta gjej, pra nuk ekziston. Unë besoj se nëpërmjet poezisë, për shembull, mund të krijosh një lidhje më të fortë dhe shpirtërore me kohë të largëta.
Duke qenë tashmë brezi i tretë i çamëve të shpërngulur, ajo nuk beson më në zgjidhjen e çështjes. Por beson se nëpërmjet artit pamor mund të sjellë më shumë dritë dhe një perspektivë të re.

“Unë i përkas brezit të tretë të çamëve të zhvendosur nga Çamëria. Historitë janë të largëta dhe, të jem e sinqertë, nuk besoj më se kjo çështje do të zgjidhet. Por besoj se mund të sjellim një dritë në tërë këtë histori. Unë besoj se arti pamor është një gjuhë e re të cilën ne po e mësojmë prej viteve të fundit, sidomos në Shqipëri. Është një instrument ose një tjetër gjuhë e cila ndihmon të risjellim kujtesën në fokus.”
Erdiola, e cila jetën e saj e ndan mes Francës dhe Italisë, thotë se është shumë e inspiruar nga jetesa në vilën e Enverit por dhe nga Shqipëria.

“Ndryshe nga vendet e tjera të Europës ku informacioni gjendet kollaj dhe kudo, në Shqipëri duhen kontakte dhe kjo është shumë interesante. Unë besoj se Shqipëria do të jetë tashmë një nga destinacionet e mia kryesore të aplikimit të artit tim, i cili ka si qëllim memorien dhe kujtesën kolektive. Historia shqiptare më nxit shumë mendim dhe reflektim”, përfundon Erdiola.
Në pritje të artistëve të rinj për një tjetër fazë krijimi dhe njohjeje me historinë e Vilës 31, por dhe të Shqipërisë në tërësi, shtëpia ku dikur jetonte Enver Hoxha duket sikur ngadalë po bie në hullinë e asaj që kryeministri Rama deklaroi në ceremoninë hapëse të rezidencës: “Se në këtë vilë do të bëjmë gjithçka të cilën diktatori nuk e bëri dot.”

Përtej fjalëve dhe premtimeve, në Vilën 31 sot bëhet art nga një brez i cili padyshim sjell për publikun shqiptar një qasje të re dhe një kontekst të ri të asaj çka mbetet nga kujtesa e trishtë e një vendi të vuajtur si Shqipëria.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



