Nga Gazeta Si- Rritja e kërkesave për shtrime gjatë verës, mungesa e shtretërve dhe mbingarkesa e mjekëve kanë vështirësuar ndjeshëm trajtimin e pacientëve me probleme të shëndetit mendor në Tiranë.
Shërbimi i psikiatrisë në QSUT nuk ka kapacitete pasi godina e vjetër e spitalit psikiatrik po rikonstruktohet dhe stafi mjekësor është transferuar përkohësisht në pavionin e Toksikologjisë, në godinën e njohur si “6-katëshi”.
Kjo ka sjellë dhe më shumë problematika. Mjekët që punojnë në këtë pavion shprehen për Gazetasi.al se situata është përkeqësuar ndjeshëm pas transferimit.
Në ambientet e reja ka shumë më pak shtretër se në ato të mëparshme, të cilat gjithashtu ishin të pamjaftueshme për të përballuar kërkesat e pacientëve.
“Mezi po i menaxhojmë rastet që na paraqiten. Edhe tek godina e vjetër kishim pak shtretër, por këtu ka edhe më pak. Situata është alarmante,” thonë mjekët.
Për shkak të kësaj mungese të kapaciteteve, spitali është i detyruar të pranojë vetëm pacientët më të rrezikuar, ato që paraqesin rrezik për jetën e tyre ose për të tjerët, duke lënë shumë të tjerë pa mundësinë për trajtim spitalor.
Një pjesë e madhe e familjarëve të pacientëve me probleme të shëndetit mendor ankohen se janë të detyruar të mbajnë të sëmurët në shtëpi, duke i trajtuar ata me medikamente, por pa mbikëqyrjen e duhur mjekësore.
Kjo paraqet një rrezik të madh për pacientët, por gjithashtu për sigurinë e familjeve.
“Kemi raste kur refuzojnë të marrin medikamentet dhe bëhen të dhunshëm. Nuk dimë ku të shkojmë. Na thonë të presim,” tregon një qytetar, i cili ka djalin të sëmurë.
Përballë kësaj situate, disa familje përpiqen të gjejnë mundësi përmes ndërhyrjeve të njohurive ose lidhjeve me autoritete të tjera, ndërsa të tjerët përballen me pasiguri dhe tension të lartë psikologjik.
Mjekët e shërbimit psikiatrik bëjnë thirrje për një zgjidhje urgjente, duke theksuar se nevoja për një qendër psikiatrike funksionale është jetike.
Sipas tyre, çdo ditë që kalon pa trajtim të duhur dhe pa kujdesin e nevojshëm, gjendja e pacientëve rëndohet, duke ulur mundësitë për rehabilitim.
“Po shohim gjithnjë e më shumë të rinj me çrregullime depresive, psikozë, varësi nga substancat. Nuk mund të vazhdojmë të refuzojmë pacientë. Po flasim për jetë njerëzish dhe familje që po shkatërrohen,” shprehet një psikiatër.
Rikonstruksioni i godinës së Psikiatrisë në QSUT është një projekt që pritet të përfundojë pas tre vitesh. Deri atëherë, përballja me fluksin e rritur të pacientëve, mungesa e kapaciteteve dhe strukturave të përshtatshme mbetet një sfidë serioze për sistemin shëndetësor të vendit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



