Është mbyllur në barazim 1-1, sifda e kësaj të shtune mes Teutës dhe Laçit, e vlefshme për javën e 18-të të Superligës Shqiptare. Përballja ishte një reklamë shumë e bukur për futbollin shqiptar, me të dyja ekipet që gjatë gjithë kohës luftonin dhe ritmi ishte shumë i lartë. Në ndeshjen e zhvilluar në “Niko Dovana” të Durrësit, vendasit kanë ruajtur pathyeshmërinë e tyre që vazhdon prej 11 javësh edhe pse Laçi provoi të fitonte, por nuk ia doli dot deri në fund.
Ishte Teuta ajo që kërkoi e para të shënonte golin me disa aksione të rrezikshme, por pa mundur dot që t’i konkretizonte. Por edhe Laçi nga ana tjetër iu përgjigj, duke ushtruar presion dhe iu afrua disa herë golit me gjuajtje nga distanca. Me kalimin e minutave Laçi mori frenat e lojës në dorë dhe Teuta u tërhoq pas në mbrojtje. Nuk zgjati shumë dhe do të vinte goli për kurbinasit. Do të ishte shkodrani, Ndriçim Shtubina, që pas një kundërsulmi të shpejtë të Laçit do të shtynte topin në rrjetë për ta çuar rezultatin në 1-0. Me këto shifra do të mbyllej pjesa e parë edhe pse Teuta tentoi të reagonte pas golit të pësuar.

Në pjesën e dytë të lojës, pas instruksioneve të trajnerit Bledi Shkëmbi, durrsakët do të ishin më të mirëvendosur në fushën e lojës. Teuta do të kishte disa raste për ta shënuar golin e barazimit, po sulmuesit durrsak nuk ishin të saktë në tentativat e tyre. Vetëm në minutën e 87’ nga një goditje dënimi do të vinte goli. Ishte talenti Sherif Kallaku që me një ekzekutim mjeshtëror tundi rrjetën e Laçit për ta çuar rezultatin në barazim. Mbyllet kështu në barazim 1-1 kjo supersfidë mes këtyre dy skuadrave që dhuruan spektakël për tifozët e paktë që kishin mbushur shkallët e stadiumit “Niko Dovana”
Formacionet e dyja ekipeve nga minuta e parë:
Teuta: Hidi, Gjorgievski, Shkalla, Osmani, Hakaj, Sidibe, Gashi, Kallaku, Kamara, Progni, Latif. Trajner: Bledi Shkëmbi.
Laçi: Selmani, Fangaj, Toro, Mersini, Sefgjini, Gjoni, Eller, Jonuzi, Lushkja, Shtubina, Berisha. Trajner: Besnik Prenga.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




