Këtë fundjavë mbyllet faza e dytë e Superligës Shqiptare, që shënon edhe fillimin e pushimeve dimërore. Janë katër javë pushim për ekipet e Superligës, ku do të festohet, rikuperohen energjitë, por mbi të gjitha është një periudhë e mirë për klubet për të bërë disa ndërhyrje në merkato. Sigurisht që nuk mund të bëhen afrimet që jemi mësuar të shikojmë në muajt e verës, por gjithsesi lëvizjet pritet të jenë të shumta. Kukësi, Tirana, Partizani, Teuta apo edhe Skënderbeu pritet që të jenë skuadrat më aktive me afrime, por edhe largime futbollistësh.

Kukësi dy zyrtarizime ende pa filluar merkato
Ajo që deri më tani mban stofin e “mbretit” të merkatos së dimrit është Kukësi. Klubi verilindor i ka bërë dy afrimet e para edhe pse merkato ende nuk është hapur zyrtarisht. Eduard Rroca dhe Vasil Shkurtaj, janë dy blerjet e para të Kukësit. Të dy janë zyrtarizuar nga presidenti Safet Gjici, që sigurisht nuk pritet të ndalet këtu. Gjatë gjithë këtyre muajve, trajneri Armando Cungu është shprehur i pakënaqur me grupin e futbollistëve që ka në dispozicion, që sipas tij nuk jep garanci në luftën për titullin kampion.

Të dy lojtarët e ardhur nga Luftëtari mund të bëjnë diferencën në repartet e tyre, por sërish Kukësi do të jetë në merkato për të afruar të paktën edhe dy futbollistë të tjerë në mesfushë dhe mbrojtje, pavarësisht se alternativat janë të pakta. Sa i përket largimeve nuk pritet që të ketë ikje të bujshme nga kampi verilindor gjatë këtij janari.

Partizani i kujdesshëm edhe në merkato
Betejën e parë në merkato Partizani e humbi. Bëhej fjalë për duelin në distancë me Kukësin për të marrë sulmuesin e Luftëtarit, Vasil Shkurtaj. Shtatlarti vlonjat u largua nga Luftëtari dhe zgjodhi që ta vazhdonte karrierën me Kukësin. Drejtuesit verilindor u treguan më të shkathtë se ata të Partizanit, që tashmë do duhet të studiojnë emra të tjerë për të përforcuar repartin e sulmit. Skuadra e Gegës është një grup shumë solid, por siç edhe vetë trajneri e ka theksuar disa herë, do të jenë të nevojshme disa blerje për të garantuar vijueshmërinë e sigurt në vendin e parë të klasifikimit. Partizani përveç afrimeve në këtë sesion merkatoje do duhet të ketë kujdes edhe në drejtim të largimeve. Janë disa nga “yjet” e kësaj skuadre, duke filluar me Asanin, Malën por edhe Bardhin që janë në lupën e agjentëve për t’i transferuar jashtë kampionatit tonë. Sakaq në drejtim të largimeve, Partizani vetëm pak ditë më parë e zyrtarizoi prishjen e parë të kontratës me mbrojtësin Gojkoviç.

Teuta përforcime për të kapur vendin e parë
Një nga surprizat më të bukura të kësaj faze të parë të Kategorisë Superiore ishte Teuta. Skuadra durrsake pas 17 javëve kampionat është në vendin e dytë dhe më shumë mundësi do të jetë nën kampionia e dimrit. Ekipi i drejtuar nga Bledi Shkëmbi ka marrë maksimumin nga grupi i lojtarëve që gjatë verës u përzgjodh me kujdes. Por siç zakonisht thonë, oreksi vjen duke ngrënë dhe në Durrës tashmë kanë filluar të mendojnë për vendin e parë. Por për të rivalizuar për kreun e klasifikimit duhen përforcime, sidomos në repartin ofensivë. Ndërhyrjet janë kërkuar nga trajneri Shkëmbi dhe presidenti me donatorët në prononcimet e tij kanë premtuar disa blerje. Ende nuk flitet për asnjë emër konkret nga kampionati shqiptar dhe me shumë mundësi afrimet e durrsakëve do të vijnë nga jashtë vendit dhe pritet të shihet impakti që ato do të kenë për shkak dhe kohës së vogël në dispozicion t’u përshtatur me lojën e skuadrës dhe kampionatin tonë.

Merkato e Skënderbeut “peng” i vendimit të KAS
Nuk është më Skënderbeu i viteve të fundit që ishim mësuar të dominonte kudo si në fushën e lojës dhe në merkato. Korçarët në fund të kësaj faze të parë janë shumë larg kreut dhe në prag të merkatos së dimrit duken shumë të qetë. Çdo lëvizje në skuadrën e Skënderbeut do të varet shumë nga vendimi që do të marrë KAS në lidhje me çështjen e trukimeve. Nëse dënimi prej 10 vitesh pezullim nga Kupat e Europës do të vijojë të jetë në fuqi, me shumë mundësi presidenca me në krye Ardian Takajn do të vazhdojë të ndjekë politikën e shpenzimeve “lowcost”. Por një skenar totalisht ndryshe parashikohet në rast se KAS shfuqizon vendimin e UEFA-s, pasi Skenderbu pritet të hyjë fuqishëm në merkato. Nga Skënderbeu në këtë merkato janari më shumë priten largime të bujshme, si ai i Fidan Alitit apo edhe i Dejvi Bregut që mund të vazhdojnë karrierën e tyre jashtë vendit, sigurisht nëse në arkat e klubit korçar derdhen shuma të majme.

Flamurtari në merkato për eliminuar pikat e dobëta
Flamurtari këtë sezon ndryshe nga vitet e fundit e filloi gjithçka me këmbë në tokë dhe deri më tani mund të thuhet se ka marrë maksimumin e grupit që ka pasur në dispozicion. Trajneri Ilir Daja krijoi një ekip në kushtet e emergjencës gjatë muajit gusht dhe pasojat u shfaqën gjatë kësaj faze të parë. Në të treja repartet Flamurtari ka vend për përmirësim dhe afrime futbollistësh cilësorë, por javët në vazhdim do tregojnë se çfarë do të ndodhë. Me konfirmimin e Kale në sulm, Daja mund të jetë pak më i qetë, por në mesfushë dhe mbrojtje vlonjatët do duhet të afrojnë me çdo kusht lojtarë të rinj nëse duan të rivalizojnë për Kupat e Europës.

Laçi merkato në heshtje
Laçi na ka mësuar tashmë që me lojtarë të rinj dhe një menaxhim perfekt ia del gjithmonë që të jetë në 5 vendet e para të klasifikimit. Edhe këtë sezon pavarësisht trajnerëve të shumtë të ndërruar, kurbinasit kanë treguar stabilitet dhe pas 17 javëve janë në vendin e 5-të. Me afrimin e Besnik Prengës në stolin e Laçit pritet që klubi kurbinas të vazhdojë me strategjinë e tij të afrimit të talenteve të rinj dhe më pas nxjerrjen e tyre në tregun ndërkombëtar.

Tirana një muaj kohë për riformatim
Një ekip i ngritur mes shumë polemikash dhe problemesh të mëdha financiare, ka bërë që Tirana në fazën e parë, në 18 ndeshje të grumbullojë vetëm 17 pikë, duke “notuar” në zonën e ftohtë. Te Tirana më shumë se në të gjitha ekipet e tjera të Superligës është e nevojshme kjo merkato. Nga porta, mbrojtja, mesfusha e deri tek sulmi, në të gjitha repartet skuadra bardheblu ka nevojë për afrime në këtë merkato.

Trajneri Ardian Mema disa herë e ka ngritur zërin për afrime emergjente lojtarësh. Edhe presidenti Refik Halili ditën e premte pas fitores me Flamurtarin premtoi afrime futbollistësh të rinj, duke shtuar se në janar pritet afrimi edhe i një donatori të ri në klub për t’i bërë financat më të shëndosha.

Luftëtari merkato “halli”
Te Luftëtari është e vështirë të flitet për merkato. Te skuadra gjirokastrite ka disa muaj që ka probleme të thella financiare me lojtarët që nuk kanë marrë rrogat. Me shitjet e Rrocës dhe Shkurtajt, Luftëtari mund të marrë disi frymë në drejtim të financave, por sërish do duhet një zgjidhje më afatgjatë. Më herët u fol për afrimin e një donatori të ri në kampin e gjirokastritëve, por deri më tani ende nuk ka asgjë konkrete. Drejtuesit e Luftëtarit në këtë momente kanë zgjedhur një merkato pa shpenzime. Do të bëhen disa grumbullime me lojtarë të rinj, ku drejtuesit pritet të përzgjedhin talente që mund të spikasin.

Kamza dhe Kastrioti heshtje në merkato
Te Kamza që me Ernest Gjokën ka filluar të japë shenja jete, duket shumë e vështirë që të ketë afrime të bujshme. Merkato pompoze gjatë verës nuk i ka dhënë ende rezultatet e pritshme dhe drejtuesit kamzalinj ende presin që të marrin maksimumin nga grupi i lojtarëve edhe pse nuk duhen përjashtuar ndonjë afrim i beftë. Ndërsa te Kastrioti që prej disa javës ka prenotuar vendin e fundit në tabelë gjendja është akoma dhe më e rëndë. Klubi krutan pak shpresa ka për të vijuar të luftojë në Superiore dhe tashmë duket sikur po shkon sërish andej nga erdhi. Edhe pse trajneri Stavri Nica ka kërkuar afrime të menjëhershme në merkato, pak gjasa ka që te Kastrioti të ketë afrime lojtarësh të rëndësishëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




