Gazeta Si – Elon Musk ka shpallur zyrtarisht përfundimin e detyrës së tij si zyrtar i posaçëm qeveritar në Shtëpinë e Bardhë. Lamtumira erdhi pasi u shfaqën konfliktet e para të brendshme me presidentin amerikan.
Themeluesi i “Tesla”-s dhe mbikëqyrësi i Departamentit për Efiçencën e Qeverisë (DOGE), në fakt kishte kritikuar ashpër ligjin e shpenzimeve të administratës amerikane, pasi ai do të prishte “punën e rishikimit të shpenzimeve” të bërë, pikërisht, nga DOGE.
Shtëpia e Bardhë nisi procedurat për largimin e tij që gjatë mbrëmjes të së mërkuës. Roli i tij ishte i përkohshëm dhe largimi i tij nuk është i papritur, por vjen një ditë pasi Musk kritikoi pjesën qendrore legjislative të axhendës së Trump.
“Ndërsa koha ime e planifikuar si Punonjës i Posaçëm Qeveritar po mbaron, do të doja të falënderoja Presidentin Donald Trump për mundësinë për të zvogëluar shpenzimet e panevojshme. Misioni DOGE do të forcohet vetëm me kalimin e kohës, ndërsa bëhet një mënyrë jetese në të gjithë qeverinë.”- shkroi Musk në rrjetin social X.
Manjati i teknologjisë i lindur në Afrikën e Jugut ishte caktuar si një “punonjës i posaçëm qeveritar” duke i lejuar atij të punonte një punë federale për 130 ditë çdo vit. Që nga inaugurimi i Trump më 20 janar, ai do ta arrinte këtë limit drejt fundit të majit.
Por largimi i tij vjen një ditë pasi ai tha se ishte “i zhgënjyer” me projektligjin e buxhetit të Trump, i cili propozon lehtësime tatimore prej shumë trilionë dollarësh dhe një rritje të shpenzimeve të mbrojtjes.
Shefi i SpaceX dhe Tesla tha në një intervistë me partnerin amerikan të BBC-së, CBS, se “projektligji i madh dhe i bukur”, siç e quan Trump, do të rriste deficitin federal. Musk tha gjithashtu se mendonte se një vendim i tillë “minon punën” e Doge.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.