Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i PD Sali Berisha tha se falë LaCivita-s ai bëri fushatën më të suksesshme në histori.
I pyetur nëse paratë që i kanë dhënë drejtuesit të fushatës ia kanë vlejtur, Berisha tha se kontraktimi i LaCivita-s ishte sipas tij akti më i rëndësishëm që bëri PD.
Ai tha se LaCivita solli ekspertizën e tij dhe udhëzimet u morën parasysh nga PD por sipas Berishës kjo tregon se “farsa elektorale nuk fitohet kurrë nga opozita”.
Në lidhje me kontratën, Berisha theksoi se do të jetë transparente në afatin që përcakton ligji.
“Kontraktimi i Chris LaCivita, yllit të suksesit botëror elektoral, bashkëkryestrategut të rikthimit më të fuqishëm në historinë e njerëzimit, Presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, mendoj se ishte akti më i mirë dhe më i rëndësishëm që bëri PD.
Pse? Sali Berisha ka një eksperiencë të gjatë elektorale. Shumë të pasur. Por, përsëri nëse ai do të ecte në këtë fushatë elektorale pa një ekspertizë, ai do të gabonte. Pse merret këshilltari elektorale? Merret si një garant i bashkëkohësisë së fushatës. Dhe unë besoj se ai drejtoi fushatën më të suksesshme në histori.
Në këtë farsë elektorale ne patëm ekspertizën më të mirë dhe bëmë fushatën më të mirë të jetës time, paraqitëm programin më transformues, por asnjë nga këto nuk e bëri opozitën fituese të farsës”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




