Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i PD-së, Sali Berisha ka hedhur akuza se kryeministri Edi Rama po paguan, sipas tij, shuma të jashtëzakonshme për të ndryshuar raportin e komunitetit ndërkombëtar lidhur me zgjedhjet.
Sipas Berishës Rama po bën telefonata të pafundme por nuk do ia dalë, pasi referuar tij, raporti do jetë pasqyra e kësaj “farse elektorale”, siç ai pretendon.
“Mijëra e mijëra shqiptarë që e kanë të qartë se kanë tek Edi Rama, armikun e betuar të votës së lirë, nuk do t’ia falin kurrë atij këtë farsë elektorale.
Sikundër shpreh bindjen dhe besimin tim se Raporti i Komunitetit ndërkombëtar, kundër të cilit Edi Rama po paguan shuma të jashtëzakonshme për ta ndryshuar, telefonata të pafundme, por nuk do t’ia arrijë. Raporti do të jetë pasqyra më e vërtetë e kësaj farse për të cilën fjalën do e kenë shqiptarët”, tha ai.
Berisha gjithashtu e krahasoi Ramën me Toto Rina-n. Sipas tij, veprimet e Ramës janë sjellje prej mafiozi.
Ai komentoi edhe takimin e djeshëm të Ramës me deputetët e zgjedhur ku sipas tij, kryeministri i kërcënoi përmes SPAK-ut këta bashkëpunëtorë të rinj (që sipas tij janë të vendosur nga grupet kriminale).
“Në këtë takim, Edi Rama u tha shqiptarëve se kërbaçi i tij është Spaku. Lëvizët, po deshët, u tha atyre, ja ku e keni Spakun që është në duart e mia, duke e ditur se ata janë një seri përfaqësuesish të krimit.
Ai Spakun nuk ua tregoi vetëm atyre, por padronëve të tyre të vërtetë që i nxorën në lista. Pra, shqiptarët mësuan se farsa elektorale prodhoi një narkoparlament, i cili nisi ditën mbledhjen pa hyrë akoma në sallë, duke vishkulluar me Spakun si kamxhik të tij”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




