Sekretari Përgjithshëm i UEFA-s Theodore Theodoridis dhe Drejtori i Federatave Kombëtare në UEFA-s, Zoran Lakoviç kanë mbërritur në kryeqytet që prej mbrëmjes së të mërkurës. Dy personalitetet e rëndësishme të futbollit europian kanë parë mëngjesin e kësaj të enjte dy investime të rëndësishme që janë duke u bërë në futbollin tonë gjatë këtij viti. Ndërtimi i kompleksit të Federatës Shqiptare të Futbollit në ish-kompleksin Dinamo dhe ndërtimi stadiumit Arena Kombëtare janë parë nga afër nga të dy zyrtarët e lartë europian të shoqëruar edhe nga drejtuesit e FSHF-së. Presidenti Duka bashkë me inxhinierët në të dyja veprat iu kanë treguar Theodoridis dhe Lakoviç për ecurinë e punimeve, ku numri dy i UEFA-s nuk e ka fshehur kënaqësinë e tij për ndërtimin e kësaj vepre futbollistike.

Në kantierin e “Arenës Kombëtare” personalitetet janë ndalur, duke thënë se do të jetë një stadium i denjë për vendin tonë. Sipas sekretarit të përgjithshëm të UEFA-s ky stadium nuk mund të krahasohet me “Qemal Stafën” dhe se mund të jetë vend pritës i ndeshjeve të rëndësishme ndërkombëtare në nivel klubesh dhe ekipesh përfaqësuese.

Sipas njoftimit të shpërndarë për mediet, vizita e dy zyrtarëve të UEFA-s përfundoi me një pritje nga kryeministri Edi Rama, ku u diskutua mbi projektet dhe investimet e ardhshme në futbollin shqiptar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




