Gazeta Si – Të dielën, regjimi taleban që ka sunduar Afganistanin që nga viti 2021, ndaloi lojën e shahut në të gjithë vendin, duke argumentuar se ajo inkurajon lojërat e fatit dhe për këtë arsye është kundër Sheriatit, grupit të parimeve morale dhe ligjore islame që talebanët i zbatojnë në një formë jashtëzakonisht radikale.
Atal Mashëani, një zëdhënës i drejtorisë së sporteve të regjimit taleban, i tha agjencisë “France-Presse”, se të luash shah shkel “ligjin për promovimin e virtytit dhe parandalimin e veseve”, një masë që ndalon një sërë aktivitetesh të konsideruara të pamoralshme ose mëkatare, të tilla si bixhozi, muzika dhe forma të tjera argëtimi.
Ai shtoi se aktualisht ka diskutime të brendshme mes talebanëve lidhur me ligjshmërinë e këtij aktiviteti dhe se deri në zgjidhjen e tyre ndalimi do të mbetet në fuqi.
Azizullah Gulzada, pronari i një lokali në Kabul (kryeqyteti i vendit) ku organizoheshin lojëra shahu, tha se do të respektonte ndalimin, por theksoi se vendimi do të dëmtonte shumë biznesin e tij.
“Të rinjtë nuk kanë shumë për të bërë, kështu që ata vijnë këtu çdo ditë: ata pinë një filxhan çaj dhe luajnë një lojë shah”, – tha ai.
Gulzada shtoi se asnjëherë nuk është luajtur me para në lokalin e tij dhe se shah luhet në vende të tjera me shumicë myslimane.
Kjo masë është pjesë e një konteksti më të gjerë kufizimesh të vendosura nga talebanët që nga kthimi i tyre në pushtet gati katër vjet më parë, të cilat kanë ndikuar në aspekte të ndryshme të jetës kulturore dhe sportive të vendit.
Ndër të tjera, ata kanë ndaluar muzikën në ngjarje publike, kanë vendosur kufizime në transmetimin e filmave të huaj, kanë ndaluar gratë të marrin pjesë në sport dhe kanë ndaluar sportet që konsiderohen në kundërshtim me interpretimin e tyre të ligjit të sheriatit, siç janë artet marciale të përziera.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.