Janë shumë fronte betejash të hapura në javët e fundit si brenda edhe jashtë fushës së lojës. Milan gjendet në një pikë shumë kritike në këtë muaj dhjetor. Çështja e trajnerit, drejtuesit e rinj teknik, pronarët e rinj, dënimet nga Uefa, problemet financiare dhe në fund rezultatet në fushë apo edhe gjyqi me Fasonen, janë shumë tema të hapura për Milan dhe një pjesë e mirë e tyre do duhet të marrin zgjidhje brenda një kohe të shkurtër.
Maldinin, Leonardon dhe Gazidisin i pret një punë kolosale përpara për t’i dhënë zgjidhje sa më shpejt këtyre çështje në mënyrë që edhe ky sezon të mos shkojë dëm dhe Milan të mbetet sërish jashtë Ligës së Kampionëve.
Trajneri Gatuzo vihet në pikëpyetje

Pas 16 javëve kampionat, Milan është në kuotën e 27 pikëve duke u renditur në vendin e katërt. Nëse kampionati do të mbaronte kështu, ku pozicionim për klubin kuqezi do të ishte një arritje fantastike. Por dy barazimet në javët e fundit me Torinon dhe Bolonjën kanë sjellë shqetësimet e para. Ai që ka e ka ndjerë i pari lëkundjen e pozitave të tij është trajneri, Xhenaro Gatuzo. Tekniku 40-vjeçar ka arritur t’i jap një mentalitet të tijin skuadrës, por duhet thënë se largimi nga Europa League dhe dy barazimet e fundit në Serie A kanë lënë një shije të keqe dhe tashmë në mediet italiane ka filluar të flitet për trajnerët që mund ta zëvendësojnë atë.
Janë disa emrat, por tre më të përfolurit janë Roberto Donadoni, Arsen Venger dhe Antonio Konte. Të tre teknik me shumë eksperiencë, por që do të jetë shumë e vështirë që të binden për t’u ulur në stolin kuqezi, disa për shkak të moshës, por edhe mundësive financiare që Milan mund të ketë.

Gjyqi me Uefa-n dhe kundërpërgjigja e Elliot
Vetëm pak ditë më parë Milan mësoi masat disiplinore nga Uefa për shkak të shkeljes së rregullave Fair Play. Më shumë janë sanksione paralajmëruese për ndalimin e shkeljeve të mëtejshme, por që sërish ndikojnë shumë në ecurinë e ekipit dhe drejtuesit kuqezinj nuk do mund të jenë të lirë të bëjnë një merkato “pa lakun në fyt”. Por këtyre paralizimeve të UEFA-s për shkeljen e rregullave Fair Play, kompania që zotëron Milanin, Elliot i është kundërpërgjigjur, duke e çuar çështjen në KAS, nga ku shpreson që të marrë një përgjigje pozitive. Procesi premton të jetë i gjatë edhe pse drejtuesit e “djallit” do të përpiqen që ta mbyllin këtë çështje sa më shpejt, mundësisht brenda muajit janar. Milan përveç heqjes së pengesës në listën e lojtarëve, kërkon të revokojë edhe gjobën prej 12 milionë eurosh.

Grupi i drejtuesve dhe ndarja e kompetencave
Paolo Skaroni, Ivan Gazidis, Leonardo dhe Paulo Maldini, janë këta katër emrat që kanë marrë përsipër ringritjen e Milan. Skaroni në rolin e presidentit është njeriu i Elliot, që më shumë ka përgjegjësi në aspketin e ndërlidhjes së kompanisë amerikane me ekipin milanez. Leonardo konsiderohet numri dy për momentin dhe nga ai do të kalojnë të gjitha tratativat apo marrëveshjet për lojtarët që Milan do të blejë apo do të shesë. Për herë të parë pas më shumë se 30 vite, Milan nuk do të ketë një pozicion të quajtur “administrator i deleguar”. Kompetencat e këtij roli do të ndahen mes Leonardos dhe prurjes më të re Ivan Gazidis. Ky i fundit do të ketë një fokus të veçantë në zbulimin e talenteve të rinj dhe evidentimin e akademisë së Milan. Ndërkohë për ish-kapitenin legjendar, Paulo Maldini mbetet roli i ndërlidhjes mes kupolës drejtuese, trajnerit dhe skuadrës. Ky është roli që i është besuar ish-kapitenit kuqezi, që për shkak të karakterit të treguar ndër vite besohet se mund ta bëjë më mirë se kushdo tjetër.

Fasone padit Milanin
Vitin e shkuar ai ishte numri një i klubit kuqezi, kur pronarë ishin kinezët, por pas 1 viti çdo gjë ka ndryshuar. Marko Fasone, ish-administratori i deleguar i Milan, ka paditur klubin kuqezi për prishjen e kontratës gjatë muajit korrik. Me marrjen në dorëzim nga grupi amerikan, Elliot, Fasone u largua dhe tashmë ai kërkon të hakmerret, duke e çuar Milanin në gjyq. Fasone ka argumentuar në padinë e tij se arsyetimi në shkarkimin e tij nuk është korrekt dhe për këtë gjë ai kërkon një dëmshpërblim prej 2.5 milionë eurosh.

Merkato me shumë dilema
Kur vjen momenti për të folur për merkato te Milan të gjithë janë me sy e vesh hapur. Janë të gjithë repartet, që kanë nevojë për përforcime me përjashtim ndoshta vetëm të portës, ku Donaruma mund ta ofrojë sigurinë e kërkuar. Në sulm, Higuain është shumë larg pritshmërive dhe Kutrone nuk mund të bëjë dot më shumë nga sa ka bërë deri më tani. Në këtë repart do të jetë shumë e vështirë që Milan të gjejë një alternative të vlefshme në merkaton e Janarit për shkak të alternativave të pakta. Në mesin e fushës ndoshta janë më emrgjente ndërhyrjet dhe emrat e përfolur janë disa. Fabregas, Barela dhe Milinkoviç Saviç janë tre emra që pëlqehen shumë në Milano, por vetëm janari do e tregojë nëse ndonjëri prej tyre do të vihet në dispozicion të Gatuzos. Ndërkohë afrimi i parë u zyrtarizua pak ditë më parë, me brazilianin Pakueta që pritet të jetë gati në javën e parë të janarit. Në mbrojtje objektivat e Milan janë disa lojtarë të rinj në Serie A dhe kampionate të tjerë, duke tentuar që mos të bëjë shpenzime të mëdha. Emri më i preferuar te kuqezinjtë për momentin në këtë repart është ai i Florentin Pogba. Nuk e ka talentit të vëllait të tij, Poul, por 28 vjeçari mund të jetë një elementë që do ta ndihmonte Milan. Edhe dy brazilanët, Caio Xandao janë në listat e Leonardos dhe Gazidis për këtë janar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




