Ekonomi

Hendeku gjinor, Shqipëria përmirësim në pjesëmarrjen ekonomike

Sabina Veizaj-Shqipëria rendet në vendin e 34 nga 149 vende të botës për pabarazinë gjinore duke u përmirësuar me katër vende nga një vit më parë.

Raporti i Indeksit Global të Hendekut gjinor është përgatitur nga Forumi Ekonomik Botëror dhe kryhet çdo vit që prej 2006-ës.

Indeksi mat madhësitë e pabarazive të bazuara në gjini dhe ndjek përparimin e ngushtimit të hendekut të këtyre pabarazive me kalimin e kohës. Edicioni i raportit të këtij viti i referohet 149 vendeve në progresin e tyre drejt barazisë gjinore në një shkallë nga 0 (pabarazia) në 1 (barazi) në katër fusha – Pjesëmarrja Ekonomike dhe Mundësia, Arritja Arsimore, Shëndeti dhe Mbijetesa dhe Fuqizimi Politik. Raporti ofron renditjen e vendeve që lejojnë krahasime efektive në të gjitha fushat dhe brenda rajoneve dhe grupeve të të ardhurave.

Shqipëria përpos se renditet e 34 në rang global, renditet po në vendin e 34 për Fuqizimin Politik. Vendi renditet i 54-ti për Pjesëmarrjen Ekonomike dhe Mundësinë, në vendin e 134 për Shëndetësinë dhe Mbijetesën dhe në vendin e 91 për Arritjen Arsimore.
Një vit më parë Shqipëria renditej e 70-ta për Pjesëmarrjen Ekonomike dhe Mundësinë, kurse për Fuqizimin Politk në vendin e 31 duke u përkeqësuar këtë vit me tre vende.
Për Shëndetësinë dhe Mbijetesën në 2017 Shqipëria renditej në vendin e 120 duke u përkeqësuar këtë vit me 14 vende.

Raporti tregon se sot ekziston ende një hendek mesatar gjinor prej 32.0% që mbetet për t’u ngushtuar. Trendi mesatar pozitiv gjatë këtij viti mbështetet nga përmirësimet në 89 nga 144 vendet e marra në studim këtë vit dhe vitin e kaluar.

Pabarazia gjinore vërehet më e madhe në fushën e Fuqizimit Politik, e cila sot bart një hendek prej 77.1%. Pjesëmarrja Ekonomike dhe Mundësia renditet e dyta në hendekun e barazisë gjinore me 41.9%, kurse Arritja Arsimore dhe Shëndetësia e Mbijetesa kanë një nivel të ulët domethënës të hendekut të pabarazisë gjinore, respektivisht 4.4% dhe 4.6%.
Mes tyre, mesatarisht, vetëm hendeku i Pjesëmarrjes Ekonomike dhe Mundësive është ngushtuar që nga viti i kaluar.

“Kur flitet për lidershipin politik dhe ekonomik, bota ka një rrugë të gjatë për të bërë.”- citon raporti.

Mes 149 vendeve të marra në studim, janë 17 syresh që kanë për drejtuese shteti gra.
Mesatarsiht, 18% e ministrave dhe 24% e parlamentarëve në rang global janë gra. Në mënyrë të ngjajshme, gratë mbajnë në nivelin e 34% pozicione menaxheriale në vendet për të cilat të dhënat janë të disponueshme, dhe më pak se 7% në katër vendet më të këqija (Egjipti, Arabia Saudite, Jemeni dhe Pakistani).

Barazi e plotë e këtij treguesi është arritur tashmë në pesë vende (Bahamas, Colombia, Jamaica, Lao PDR dhe Philippine); dhe në 19 vende të tjera janë të paktën 40% e grave në pozicione manaxheriale.

Në kushtet e një fuqie më të gjerë ekonomike, hendeqet në kontrollin e aseteve financiare dhe në kohën e shpenzuar për taksën e papaguar vazhdojnë të ruajnë pabarazitë ekonomike midis burrave dhe grave.

Gratë kanë po të njëjtin akses Financiar sa burrat në 60% të vendeve dhe zotërojnë një pronë ashtu si burrat në 42% të vendeve të marra në shqyrtim. Gjithashtu mes 29 vendeve për të cilat të dhënat janë të disponueshme, gratë shpenzojnë mesatarisht, dy herë më shumë kohë në punët e shtëpisë dhe aktivitete të tjera të papaguara sesa burrat.

Megjithatë përparimi më i madh në barazinë gjinore në arsim është relativisht më i avancuar se në fushat e tjera, por ende ekzistojnë 44 vende ku mbi 20% e grave janë analfabetë. Mesatarisht, në nivel global 65% e vajzave dhe 66% e djemve janë regjistruar në arsimin e mesëm, dhe vetëm 39% e grave dhe 34% e meshkujve janë sot në kolegj ose universitet. Ky fakt bën thirrje për qëllime më ambicioze për të zhvilluar më mirë kapitalin njerëzor – si për gratë ashtu edhe për burrat.

Duke parashikuar projeksionet e tendencave aktuale në të ardhmen, hendeku global gjinor do të mbyllet në 108 vite në 106 vendet e mbuluara që nga edicioni i parë i raportit. Hendeqet më të vështira gjinore për të mbyllur janë fushat ekonomike dhe politike, të cilat do të kërkojnë 202 dhe 107 vjet për tu mbyllur.

Edhe hendeku gjinor në Mundësinë ekonomike është ngushtuar disi, progresi ka qenë i ngadaltë, veçanërisht në terma të pjesëmarrjes së grave në forcat e punës, ku hendeku gjinor është lehtësisht i përmbysur.

Në termat e Fuqizmit Politk, progresi i arritur në dekadën e kaluar ka nisur të përbyset. Veçanërisht, hendeku i barazisë gjinore në vendet perëndimore është ngushtuar. Ngushtimi i hendekut gjinor për arsimin është në rrugën e duhur, dhe reduktimi mendohet të ndodhë sipas raportit, brenda 14 viteve të ardhshme, pak më shpejt se vlerësimi i vitit të kaluar. Hendeku gjinor në shëndetësi – megjithëse pak më i madh se ai i vitit 2006 – është pothuajse i mbyllur globalisht dhe plotësisht i mbyllur në një të tretën e vendeve të vlerësuara.

Vendet më të barabarta në aspektin gjinor deri më sot është Islanda. Ajo ka ngushtuar mbi 85% të hendekut të përgjithshëm gjinor. Islanda ndiqet nga Norvegjia (83.5%), Suedia dhe Finlanda (82.2%). Edhe pse e dominuar nga vendet nordike, në 10 vendet e para renditet edhe një vend i Amerikës Latine (Nikaragua, 5), dy vende të Afrikës subsahariane (Ruanda, 6, dhe Namibia, 10) dhe një vend nga Azia Lindore (Filipinet (8).

Të tetë rajonet gjeografike të vlerësuara në raport kanë arritur të paktën 60% barazi gjinore dhe dy kanë përparuar mbi 70%. Europa Perëndimore është mesatarisht rajoni me nivelin më të lartë të barazisë gjinore (75.8%). Amerika e Veriut (72.5%) është e dyta dhe Amerika Latine (70.8%) është e treta. Ato ndiqen nga Europa Lindore dhe Azia Qendrore (70.7%), Azia Lindore dhe Paqësori (68.3%), Afrika Sub-Sahariane (66.3%), Azia Jugore (65.8%) dhe Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut (60.2% . Këtë vit 149 vendet e mara në studim nga raporti përfshijnë pesë hyrje të reja: Kongo, DRC; Irak, Oman, Sierra Leone dhe Togo. Sierra Leone renditet në vendin e 114-të, ndërkohë që pjesëmarrësit e tjerë të rinj renditen më poshtë.

Në mënyrë të ngjajshme, nëse nivelet e deritanishme arrihen të mbahen në të ardhmen, hendeku gjinor në fushat e studiuara në vendet e marra në shqyrtim do të mbyllet në 61 vjetë në Europën Perëndimore, 70 vjetë në Azijë Jugore, 74 vjetë në Amerikën Latine dhe në Karaibe, 135 vjetë në Afrikën Sub-Sahariane, 124 vjetë në Europën Lindore, 153 vjetë në Lindjen e Mesme dhe Amerikën Veriore, 171 vjetë në Azinë Lindore dhe Pacifik, dhe 165 vjetë në Amerikën veriore. Raporti sugjeron se, përderisa këto vlerësime pasqyrojnë ritmin e vërejtur deri më tani drejt arritjes së barazisë gjinore, politikë-bërësit dhe aktorët e tjerë mund ta shpejtojnë këtë proces dhe duhet të ndërmarrin veprime më të forta në vitet në vijim. Për ekspertët e raportit, ekziston një imperativ i fortë për ta bërë këtë, në aspektin e drejtësisë dhe barazisë më të madhe sociale, si dhe kthimi i kapitalit ekonomik në një bazë më të gjerë tnjerëzve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë