Futboll

FSHF ndan çmimet, Trashi më i miri i vitit 2018

Në mbyllje të këtij viti kalendarik Federata Shqiptare e Futbollit ka organizuar një mbrëmje gala për të nderuar të gjithë aktorët e futbollit në vend, por edhe personalitete të shquara të së shkuarës futbollistike. Në këtë mbrëmje të organizuar nga FSHF si rrallë herë janë bërë bashkë, futbollistë, drejtues klubesh, ish-futbollistë, arbitra, gazetarë dhe personalitete të shquara të futbollit në vend. Duke filluar nga presidenti i Tiranës, Refik Halili, drejtori i Partizanit, Olsi Rama, administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi e deri te numri një i Kukësit, Safet Gjici, të gjithë janë parë duke shkëmbyer urime dhe për disa çaste kanë lënë pas betejën e kampionatit.

Por edhe ish-futbollistë të njohur të kampionatit dhe kombëtares, si Cana, Murati, Duro etj. kanë qenë prezent në këtë mbrëmje gala të organizuar nga Federata e Futbollit. Mes gjithë personaliteteve të pranishme, ajo që binte në sy, ishte mungesa e trajnerit të ekipit kombëtar të futbollit, Kristian Panuçi.

Kreu i FSHF, Armand Duka në fjalën e mbajtur para të pranishmëve pas një bilanci të shkurtër për arritjet dhe sfidat e kaluara në këtë vit, nuk ka nguruar të lëshojë edhe batuta në drejtim të të ftuarve, duke iu përshtatur kështu atmosferës festive. Përveç urimeve, një pjesë shumë e rëndësishme e kësaj mbrëmje ishte edhe ndarja e çmimeve për protagonistët më të mirë të këtij viti në fushën e lojës. U ndan çmime, për futbollistin/futbollisten më të mirë dhe për arbitrin më të mirë.

Futbollisti më i mirë i vitit 2018-të iu dha mesfushorit anësor të Partizanit, Lorenc Trashi. Si futbollistja më e mirë e vitit triumfoi shkodrania e Vllaznisë, Megi Doci. Ndërsa “bilbili” më korrekt gjatë këtij viti është vlerësuar Enea Jorgji. Në përzgjedhjen e këtyre fituesve sipas FSHF, kanë votuar trajnerët dhe kapitenët e ekipeve të Superligës Shqiptare.
Përveç këtyre çmimeve janë shpërndarë edhe disa vlerësime honorifike për ish-futbollistë që kanë lënë gjurmë në sportin shqiptar.

Me çmimin “Nderi i futbollit shqiptar” janë nderuar: Perlat Musta, Edvin Murati dhe Qamil Teliti (pas vdekjes). Ndërsa me çmimin, “Legjenda e futbollit shqiptar” janë nderuar: Genc Tomori, Osman Mema dhe Agim Canaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë