Politike

Ndarja nga jeta e Papa Franceskut, Rama: Vlerësonte vëllazërinë tonë fetare

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama mbajti një minutë heshtje në nderim të Papa Françeskut që ndërroi jetë këtë të hënë në moshën 88-vjeçare.

Nga një takim që po zhvillonte në Kavajë, Rama tha se kishte një raport personal me të.

Ai kujtoi vizitën e Papës në Shqipëri dhe ndërmendi se si Papa vlerësoi harmoninë fetare në vend. Gjithashtu Rama përmendi dhe një takim në audiencë me Papën në Vatikan.

“Më çonte vazhdimisht mesazhe me arqipeshkvin dhe më vjen jashtëzakonisht keq, zgjodhi të vizitonte Shqipërinë të parin vend jashtë Vatikanit kur u bë Papë. Në Shqipëri kaloi një ditë që ai vetë e konsideroi të paharrueshme. Tha edhe fjalën e paharrueshme se Shqipëria nuk ka harmoni fetare, por vëllazëri fetare. Kam mirëkuptimin tuaj ta nderoj me një minutë heshtje.

Më kujtohet në takimin e dytë në Vatikan, e pyes i them: Atë i shenjtë,  më duket se keni  bërë shumë armiq, duke thënë gjëra që nuk i ka thënë kurrë një papë.

Më tha ‘kryeministër, nëse nuk i them ato që kam për të thënë tani që kam kohën me njerëzit kur do i them? Kujt do i them? Krimbave kur të shkoj në varr?’”, tha Rama.

Më pas ai ndau edhe një foto në rrjetet sociale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë