Politike

“Diella” mbetet në qeveri, Kushtetuesja rrëzon kërkesën e 39 deputetëve

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e 39 deputetëve të Kuvendit, të cilët kundërshtuan dekretet e Presidentit për emërimin e Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave.

Vendimmarrja u bë e ditur sot nga kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji, gjatë komunikimit me gazetarët në ambientet e gjykatës.

Kërkesa lidhej me dispozita të dekreteve presidenciale për përbërjen e Këshillit të Ministrave, për të cilat deputetët pretendonin se ishin në kundërshtim me Kushtetutën.

Në qendër të çështjes ishte edhe emërimi i ministres virtuale të Inteligjencës Artificiale, Diella, çështje që ishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga Partia Demokratike.

Me rrëzimin e kërkesës, Gjykata Kushtetuese ka lënë në fuqi dekretet përkatëse të Presidentit lidhur me formimin e qeverisë.

Vendimi vjen pas shqyrtimit të çështjes nga Gjykata Kushtetuese, e cila në kalendarin e saj kishte parashikuar shqyrtimin e çështjeve të paraqitura nga deputetët në seancë plenare mbi bazë dokumentesh.

Në dekretin e Presidentit për përbërjen e Këshillit të Ministrave, të 15 shtatorit 2025, përcaktohet se Kryeministri Edi Rama ushtron edhe përgjegjësitë për ngritjen dhe funksionimin e ministrit virtual të Inteligjencës Artificiale “Diella”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë