Nga Gazeta ‘SI’ – Partitë politike kanë nisur shumë më herët fushatën për zgjedhjet e 11 majit duke ripërsëritur premtimet e tyre nga veriu në jug.
Fokusi qëndron mbi dyluftimin e forcave më të mëdha në vend PS-PD. Partia Socialiste synon mandatin e katërt me një program që ka për qëllim forcimin e pozitës së Shqipërisë si një kandidate dhe aleate e fortë për BE-në.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike, që synon rikthimin në qeveri pas 12 vitesh, ofron një program që ka në fokus lehtësimin e kostove të jetesës për familjet dhe bizneset.
Paga
PD ka premtuar një rritje të pagës minimale në 500 euro dhe asaj mesatare në 1.200 euro. Zotuar për të miratuar minimumin jetik 200 euro, PD parashikon edhe rritje të pensioneve me 20%.
PS premton pagë të njëjtë minimale dhe mesatare me PD-në (demokratët e akuzuan për vjedhje të programit). Socialistët premtojnë rritje të pensionit në 400 euro.
Taksa
Demokratët do të rikthejnë taksën e sheshtë 10% mbi kapitalin dhe të ardhurat dhe do të rrisë tavanin e taksimit për bizneset e vogla, deri 18 milionë lekë. PD premton reduktim të TVSH-së në 15%, reduktim të taksës ë shitjes së pronës në 2%, taksës së rivlerësimit në 1%. Reduktim të akcizave dhe ulje të taksave të karburantit. PD thotë se gjatë mandatit nuk do të ketë ndryshime në sistemin fiskal.
Socialistët sjellin për herë të parë nocionin e “paqes fiskale” për bizneset, që do të thotë 15% e tatimit mbi fitimin e përputhur me rritjen ekonomike dhe për cdo fitim shtesë 5%. Rama ka premtuar regjim fiskal të qëndrueshëm për bizneset deri në 2030-n.
Biznes
PD do të reduktojë kontrollet tatimore të bizneseve dhe do të kryhen vetëm në bazë risku.
Të njëjtën gjë premton edhe PS; fundin e inspektimeve për bizneset.
Energjia elektrike/uji
PD zotohet të ulë çmimin e energjisë në 7 lekë/kilovat për familjet dhe 6 lekë për bizneset. Premton të falë gjobat për energjinë dhe ujin e pijshëm.
PS premton ta bëjë Shqipërinë, eksportuese të energjisë dhe të çojë në 30% prodhimin e energjisë nga dielli. Në mandatin e katërt, PS zotohet të përmbushë premtimin e ujit të disponueshëm për 24 orë, në 90% të popullsisë.
Bujqësi
Progami i demokratëve synon unifikimin e TVSH-së në bujqësi dhe subvencionimin deri në 80% të kredive të fermerëve. Karta e identitetit do të shërbejë si NIPT për fermerët dhe të gjithë do të jenë përfitues nga subvencionet e naftës.
PS premton financimin e buqjësisë me 500 milionë euro dhe arritjen e 1 miliardë eurove eksporte.
Turizmi
PD planifikon disa ndryshime ligjore në favor të turizmit, si rishikimi i ligjeve që favorizojnë individë dhe biznese. Inkoporimi i investitorëve të huaj dhe hapja e zonave të lira ekonomike.
PS parashikon se investimet në turizëm dhe infrastrukturë do t’i sjellin Shqipërisë 20 milionë turistë. Për hotelet dhe strukturat akomoduese qeveria ka propozuar zhdukjen e inspektimeve , por detyrimin për deklarim të të paktën 60% të kapaciteteve gjatë sezonit veror.
Shëndetësi/Sociale
Demokratët premtojnë dyfishim të buxhetit për shëndetësinë dhe anulim të koncesionit të check-up. Mbulim të shpenzimeve shëndetësore dhe kujdesit për personat me aftësi të kufizuar. Pagat e mësuesve do të jenë më të larta se mesatarja >1.200 euro. Po ashtu parashikon përjashtim nga taksat për të rinjtë deri në 25-vjeç, mbështetje me kredi për të rinjtë në biznes dhe lehtësira specifikisht për gratë dhe vajzat.
Socialistët premtojnë përmirësim të sistemit shëndetësor dhe infrastrukturës, duke e financuar me 1 mld euro. Paga e mjekëve do të shkojë 2.000 euro. Për mësuesit, PS premton pagë 1.250 euro. PS parashikon një program për të ndihmuar çiftet e reja të blenë banesë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




