Politike

Zgjedhjet e 11 majit, Gjykata e Tiranës miraton formularin për votuesit nga diaspora

Nga Gazeta ‘Si’- Gjykata e Tiranës ka miratuar formatin e formularit për votuesit nga diaspora, që nuk gjejnë emrin në lista për procesin zgjedhor të 11 majit.

Këtë formular ankuesit e dërgojnë në adresën e postës elektronike [email protected] e më pas brenda 48 orësh do të merren në shqyrtim nga Gjykata e Tiranës.

Sipas listës paraprake të KQZ-së për emigrantët që do të votojnë më 11 maj, numri i të regjistruarve zyrtarisht në listën e zgjedhësve nga jashtë është 245,808.

Ndërkohë nesër në Parkun Olimpik, në 09:00, nis puna për paketimin e zarfeve të votimit për diasporë për zgjedhjet e 11 majit.

KQZ do të punojë me 3 turne, ku në 20 tavolina të ndryshme, do të paketohen zarfe të personalizuara për çdo votues, të cilat do të grupohen sipas shteteve. Secilit votues do t’i shkojë fleta e votimit për qarkun të cilit ai i përket në Shqipëri.

Brenda 1 jave, zarfat e parë më fletë votimi pritet të mbërrijnë në Europë para datës 22 prill, ndërsa në Amerikë ose kontinent tjetër, pakoja zgjedhore mund të kërkojë disa ditë më shumë, deri në 25 prill.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë