Politike

Rama: BE nuk është studio konsulence që vjen nga Amerika dhe paguhet kushedi se sa

Nga Gazeta ‘Si’– Kryeministri Edi Rama ironizoi kreun e PD Sali Berisha sa i takon çështjes së negociatave.

Rama tha se BE nuk i merr në konsideratë njerëzit që kanë probleme me drejtësinë, ndërsa me ironi komentoi edhe marrëveshjen me LaCivita për të qenë këshilltar i PD gjatë fushatës zgjedhore.

“Iu qajnë hallin pensionistëve dhe që iu kopjua programin. Gjëja më qesharake në botë, a thua se bëhet fjalë për ndonjë Kod atomik. A thua se bëhet fjalë për ndonjë Kod kasafortë, të ndonjë sekreti, Kodi i Davinçit”, tha Rama duke iu referuar akuzave të Berishës se Rama sipas tij i ka vjedhur programin elektoral të 11 majit.

“Këtu bëhet fjalë me individë që kanë probleme të hapur me drejtësinë, si mendoni ju që BE këto nuk i merr në konsideratë?  Apo është një studio konsulence që paguhet me kushedi se sa dhe se si paguhet dhe vjen nga Amerika këtu se paguhet dhe bën fushatë për një palë dhe këtu mbyllet filmi. Nuk mbyllen kështu filmat me BE, janë ndryshe. As me Amerikën”, shtoi ai.

Mandej amerikanin Chris LaCivita, ai e cilësoi si turist që vijnë në Shqipëri për të marrë para dhe shtoi se mënyra sesi ata i marrin paratë është sipas tij, e diskutueshme.

“Nuk është muhabet kënete që hajd po mblidhemi dhe po bëjmë një program dhe po marrim dhe sherifin. Po na vjen edhe sherifi. Këta turista janë të gjithë të mirëpritur të vijnë, por këta turista që marrin kaq shumë para dhe si i marrin është një pyetje. Ku gjenden gjithë ato para për këta lloj turistash. Megjithatë le të vijnë. Bujrum të vijnë”, tha mes të tjerash Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë