Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se çdo shtet që blen gaz apo naftë prej Venezuelës, do të paguajë tarifë prej 25 për qind në tregtinë që bën me Shtetet e Bashkuara.
“Tarifat sekondare” të cilat do të hyjnë në fuqi më 2 prill, po çojnë në një tjetër luftë tregtare, sipas Bloomberg.
Trump tha se e ka marrë këtë vendim, sepse Venezuela ka dërguar “dhjetëra mijëra” njerëz në SHBA, të cilët kanë “natyra shumë të dhunshme”.
Ky njoftim e rriti çmimin e naftës së papërpunuar për gati 1.5 për qind.
Kërcënimi i tij i fundit kundër Venezuelës pritet të rrisë presionin ndaj blerësve aktualë të naftës – të cilët përfshijnë Kinën, Indinë dhe Spanjën – për të reduktuar marrëdhëniet e tyre në vend, të cilat kanë ofruar një shpëtim kritik financiar për qeverinë venezueliane.
Më herët gjatë këtij muaji, Trump e ka pezulluar për 30 ditë licencën që i ka dhënë SHBA-ja kompanisë së naftës, Chevron, e cila prej vitit 2022 ka operuar në Venezuelën e sanksionuar.
Presidenti e ka marrë këtë vendim pasi e ka akuzuar presidentin Nicolas Maduro se nuk ka bërë përparim të mjaftueshëm për reformat zgjedhore dhe kthimin e migrantëve.
Trump ka thënë më herët gjatë muajit se e ka fuqizuar Aktin 1798 për Armiqtë e Huaj për të arsyetuar dëbimin e anëtarëve të dyshuar të bandës venezuelase Tren de Aragua, pa pasur urdhra përfundimtarë të gjyqtarëve për imigrim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




