Politike

Fletë votimi me përmasa gjigande për 11 Majin, në Tiranë 539 emra në garë

Gazeta Si – Modeli i fletës së votimit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit do të jetë në përmasa gjigande, sipas asaj që u miratua në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve këtë të martë.

11 subjekte elektorale do jenë të renditura në fletën e votimit dhe secili prej tyre do ketë 186 kandidatë sipas qarqeve.

Në Qarkun e Tiranës, fleta e votimit pritet të jetë gjigande nga përmasat, pasi në të do të renditen jo pak, por 539 kandidatë në të dyja listat, atë të mbyllur dhe të hapur.

Fleta e votimit, në krye të saj ka logon e partisë kryesore në koalicione, më pas emrin e kreut të koalicionit, si dhe të gjitha partive që përbëjnë koalicionin. Më pas janë të renditur të gjitha kandidatët e listës së hapur.

Për të votuar, qytetarët do të kenë tre mundësi. Mundësia e parë është që të vendoset një X te koalicioni dhe kandidati pjesë e koalicionit.

Mundësia e dytë, të votohet vetëm kandidati dhe në këtë mënyrë vota shkon automatikisht edhe për koalicionin dhe e treta të votohet vetëm koalicioni. Në këtë rast digjet vota për kandidatët e listës së hapur.

Në rast se dikush do të votojë një koalicion dhe do të zgjidhte një kandidat jashtë këtij koalicioni, vota do të jetë e pavlefshme.

Një ditë më parë, KQZ hodhi shortin për renditjen e partive politike në fletën e votimit ku goglat i rezervuan Partisë Demokratike- Aleanca për Shqipërinë Madhështore renditjen e para, ndërsa socialistëve shorti u dha numrin 5.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë