Politike

Nuk u pranua nga Lapaj, Sula: ‘Shqipëria Bëhet’ një kurth i Berishës, duan të bëjnë Ramën ‘mbret’!

Nga Gazeta ‘Si’- Pasi u largua edhe nga listat e koalicionit “Shqipëria Bëhet”, deputeti demokrat Dashnor Sula në një postim publik hedh akuza ndaj Adriatik Lapajt se po përdoret si “vegël” nga Sali Berisha për të mbledhur ato vota të djathta që nuk shkojnë për Partinë Demokratike.

Ndërsa e cilëson si pabesi vendimin e drejtuesve të PD për të mos shpërblyer kontributin e tij si demokrat në këto 4 vite, Dash Sula tha dhe dy fjalë për “Shqipëria Bëhet”.

Sula tregon për herë të parë se përse u largua edhe nga koalicioni Lapaj-Shabani, duke akuzuar se ky qenka një kurth i Sali Berishës. Më pas ai akuzon Lapajn se sipas tij, ka mësuar më shpejtë të gënjejë se të mendojë.

“U shpreha gadishmërinë për t’u futur në një garë me ta duke vlerësuar faktin se janë të rinj, mirëpo fatkeqësisht edhe Z. Lapaj paska mësuar hilet para rregullave dhe pa hyrë mirë në politikë më shpejt gënjeka se sa mendoka.

Pasi më bërën pjesë të listës, më thanë jo, nuk mund të japim garanci që njerëzit që kemi vendosur në listë të mbyllur do të dorëhiqen nëse unë fitoja mandatin. Pra mua që do merrja më shumë vota s’do më hapej rruga siç predikon Lapaj kur vendos babain në listë dhe thotë se e kam vënë për ta tërhequr.

Por unë nga padrejtësia ika e s’mund të pranoj një padrejtësi tjetër”, shkruan ai ndër të tjera.

Mandej ai thekson se sipas tij, plani i Berishës për t’i ndarë votat e djathta mes tij dhe Lapajt i japin Ramës jo mandatin e 4, por ‘e bëjnë mbret’.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë