Gazeta Si – Duke u ndalur te listat e Partisë Socialiste për kandidatët për deputet në zgjedhjet e 11 Majit, kreu i PD, Sali Berisha është shprehur se grupi i parë i listës së Edi Ramës janë që të gjithë pa përjashtim me dosje të rënda në SPAK dhe afera korruptive.
Sipas tij, grupi tjetër është grupi i patronazhistëve famëzinj siç i ka cilësuar ai gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët në rrjetet sociale.
“Grupi i parë i listës së Edi Ramës janë që të gjithë pa përjashtim me dosje të rënda Spak-u, aferash korruptive ndër më të mëdhatë dhe lidhje me krimin ndër më të tmerrshme. Simbol i kësaj liste, përveç Edi Ramës vetë, është Taulant Balla. Grupi tjetër, është grupi i patronazhistëve famëzinj, të cilët nuk kanë ligj as moral, mercenarë të vërtetë që shkelin kushtetutën për privilegjet e tyre për të mbrojtur pushtetin. Vendosen në lista, sepse njëri i thotë se Rama është Zeus, se tjetra thotë se, Rama është 10 hapa para. E treta thotë, është brand botëror. Pra, lista e turistëve, është lista, duhet ta themi haptas, është lista më qesharake që është paraqitur ndonjëherë”, – u shprej Berisha.
Berisha thekson se PD, ndryshe nga PS paraqet para shqiptarëve kandidaturat më përfaqësuese që ajo ka paraqitur në tërë ekzistencën e saj.
“Ka qenë një javë hektike, në kuptimin e mbledhjeve të pafundme për përzgjedhjen e kandidaturave, por mendoj se PD paraqet para shqiptarëve kandidaturat më përfaqësuese që ajo ka paraqitur në tërë ekzistencën e saj. Paraqet para shqiptarëve kandidatura që kanë një karrierë politike të gjatë dhe kanë qendruar në pushtet si shërbëtorë të qytetarëve”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




