Politike

Shpërbleu besnikët me listat e mbyllura? Berisha: S’është e vërtetë. Më pëlqen diversiteti

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha hodhi poshtë pretendimet se ka shpërblyer besnikët duke i vendosur në lista të mbyllura për kandidat për zgjedhjet e 11 majit.

Në konferencë me gazetarët, ai tha se askush nuk është hequr nga lista për shkak të mendimit ndryshe, por, sepse sipas tij, i pëlqen diversiteti.

“Po të ndalesh si politolog nuk do të gjesh ndonjëherë në 34 vite në skenën politike shqiptare një njeri si Sali Berisha që  jo vetëm e pranon por e parapëlqen diversitetin. Asnjë njeri nuk është hequr dhe nuk mund të hiqet, se Sali Berisha nuk mund ta toleronte për mendime ndryshe, nuk ndodh kjo.

Ndonjë që mendon se nuk është në listë për këtë arsye, e ka gabim. Mund të mendojnë, por nuk është e vërtetë”, tha Berisha.

Berisha komentoi edhe listën e Elbasanit, pas vizitës aje, që sipas tij është me kandidatë të shkëlqyer.

“Këto zgjedhje janë konceptuar si betejë, fushë beteje. Rrethanat ngushtuese, koalicioni etj, kanë diktuar në këto qëndrime. Unë po vij nga një takim me përfaqësuesit, me deputetët e këtyre zonave. Të garantoj se në sytë e tyre, unë pashë vetëm fitore. Përfaqësues të shkëlqyer, njohës të mirë të qytetarëve, nevojave të terrenit etj.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë