Gazeta Si – Gjykata e Elbasanit i ka kthyer për plotësim hetimesh prokurorisë, dosjen në ngarkim të dy rusëve dhe një ukrainasi të akuzuar për spiunazh, të cilët u kapën në territorin e Uzinës së Armëve në Gramsh pas përplasjes me rojet ushtarake në gusht 2022.
Vendimi u mor tre ditë me parë në seancën paraprake gjyqësore, ku organit të akuzës iu la afat kohor deri në fund të muajit maj.
Rusët, Svetlana Timofeeva, Mikahil Zorin të moshave 34 dhe 23 vjeç, si dhe ukriainasin Fedir Alpatov, 24 vjeç, u arrestuan në datë 20 gusht të vitit 2022 pas një incidenti që u shënua brenda rrethimit të ish uzinës së armëve në Gramsh.
Ato nuk iu bindën urdhrave për të ndaluar, ndërsa njëri prej tyre, Mikhail Zorin, i sulmoi rojet me spraj kimik.
Pasi u arrestuan, ata thanë se janë blogerë të apasionuar pas godinave të braktisura dhe objekteve ushtarake, ndaj për këtë arsye vizituan uzinën në Gramsh, duke mohuar të jenë spinunë.
Prokurori Kreshnik Ajazi po heton tre shtetasit e huaj për kryer veprat penale “Sigurimi i informatave sekrete me karakter ushtarak apo të çdo lloji tjetër, me qëllim që t’i jepen një fuqie të huaj,” i parashikuar nga neni 214 i Kodit Penal, “mbajtje pa leje të armëve të ftohta” dhe “kundështim me forcë të punonjësit që kryen një detyrë shtetërore”.
Prokuroria ngriti dyshimet për spiunazh me pretendimin se të tre ata kishin ardhur në vendin tonë për të mbledhur informacione ushtarake dhe strategjike të sigurisë kombëtare. Rusët dhe ukrainsi, po hetohen nga organi i akuzës në gjendje të lirë pa masë sigurie.
Për 33-vjeçaren Timofeeva, Rusia kërkoi ekstradim, pasi e akuzoi për “marrje të paligjshme të informacionit që përbën sekret shtetëror”. Por Gjykata e Elbasanit vendosi të mos ekstrdohet dhe të gjykohet në Shqipëri.
Në argumentet e parashtruara përpara togave të zeza, prokuroria tha se në Rusi, Svetlana Timofeevës nuk i sigurohen të drejtat ligjore sipas konventës së të drejtave të njeriut dhe se në Shqipëri ka një proces penal në ngarkim të saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.