Politike

Sot afati i fundit për dorëzimin e listave për deputetë! PS e PD ‘vulosin’ pasdite ekipin e 11 majit

Nga Gazeta ‘Si’- Ndërsa ka nisur numërimi mbrapsht për dorëzimin e listave zyrtare për deputetë në KQZ, partitë politike po vijojnë konsultimet e fundit për të ‘vulosur’ ekipin me të cilin do garojnë në parlamentaret e 11 majit.

Kryesocialisti Edi Rama mbledh në 19:00 Kryesinë e PS, ndërsa para mbledhjes do të zhvillojë një takim me drejtuesin politik për diasporën, Taulant Ballën.

Në këtë takim përveç bilancit të punës që është bërë deri më tani, pritet të diskutohet edhe për emra potencialë që mund të vijnë nga diaspora.

Shumica e grupit parlamentar të PS pritet të jetë në listën e hapur, pasi Rama deklaroi se ata që kanë fituar qoftë edhe një mandat nën siglën e PS do jenë listën e hapur, përveç drejtuesve politikë të qarqeve. Ndërkohë, surprizë mbetet vendimi i Ramës, i cili për herë të parë tha se mund të mos kandidojë fare si deputet.

Ndërkohë kreu i PD, Sali Berisha pritet që në listën e mbyllur të fusë emra besnikë të tij. 8 vende të sigurta ua ka premtuar aleatëve të koalicionit opozitar “PD- Aleanca për Shqipërinë Madhështore”. 4 prej tyre i merr Partia e Lirisë, ndërsa nga 1 ndahet për Mediun, Dulen, Idrizin dhe Dukën.

Për vendosjen përfundimtare të listave sot në orën 17:00 mblidhet Kryesia e PD dhe në orën 19:00 mblidhet Këshilli Kombëtar.

Vetë Berisha pritet të jetë në listë të mbyllur në Tiranë, ndërsa Ilir Meta refuzoi nga burgu ofertën e Berishës për ta futur në listë të mbyllur dhe deklaroi se do të garojë në listë të hapur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë