Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i KQZ , Ilirjan Celibashi, dha detaje lidhur me emigrantët shqiptarë të diasporës që kanë aplikuar dhe janë regjistruar në sistemin PER për të votuar nga vendet ku ata jetojnë dhe punojnë.
Përmes një deklarate për mediat, Celibashi tha se në PER kanë aplikuar në total 294 155 zgjedhës dhe se nga këta, kanë rezultuar të suksesshme vetëm 245 975 aplikime.
Sipas Celibashit “aplikimi i parë është bërë nga një shtetas nga Gjermania më datë 11 janar, ora 00:08, aplikimi i është pranuar”.
Për sa i përket moshës, Celibashi tha se regjistrimi me “moshën më të madhe është një shtetas nga Gjermania 98 vjeç, i datëlindjes 1927, nëse nuk gaboj, ia ka dalë herën e parë të regjistrohet”.
Kryekomisioneri tha po ashtu se “një shtetas ka aplikuar 25 herë në platformë, është regjistruar”.
I pyetur se çfarë do të bëhet me 48 mijë zgjedhësve të cilëve iu është refuzuar kërkesa, Celibashi tha se për kategorinë që kanë marrë refuzim nga KQZ nuk mund të bëhet asgjë.
“Ajo çfarë parashikohet në Kodin Zgjedhor dhe në aktet rregullatore, është sa vijon, nga data 9 mars deri në 12 vetëm ata që janë të regjistruar, kanë të drejtë sipas përcaktimeve përkatëse të kërkojnë të bëjnë ndryshime që lidhen me adresën dhe vetëm me adresën të të dhënave që kanë në PER dhe asgjë më shumë. Ky dyditësh është për ata që janë të regjistruar”, tha Celibashi.
“Për kategorinë e atyre që kanë marrë refuzim nga KQZ nuk mund të bëhet asgjë dhe kjo është e qartë si në Kodin Zgjedhor dhe në aktet rregullatore, për momentin që flasim”, tha Celibashi.
I pyetur se ku mund të ankohet zgjedhësi pas refuzimit të kërkesës nga ana e KQZ-së, Celibashi tha se mund të ankohen në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, jo më vonë se data 11 prill.
“Nga momenti që i është refuzuar kërkesa, deri në 11 prill mund të paraqesin një ankesë nëpërmjet një platforme online, e cila do të ndërtohet nga KLD, tashmë që edhe kuadri ligjor ia lejon ndërtimin e kësaj platforme, mund të bëhet aplikimi, dhe uroj të funksionojë”, tha Celibashi.
Celibashi shtoi se “refuzimet e bëra nga ana e KQZ janë të gjitha të përligjura, vjen si rrjedhoje e gabimeve të atyre zgjedhësve”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




