Nga Liridon Mulaj– Ai njihet tashmë kudo si skulptori i Skënderbeut. Në Tuz, Pukë, San Basilea, Kalabri (Itali) dhe së fundmi në Lezhë, janë vetëm disa nga vendet, ku monumenti i heroit tonë kombëtar mban “vulën” e skulptorit Ardian Pepa.
I lindur në Fushë Arrëz dhe i shkolluar në Akademitë e Arteve në Prishtinë dhe Tiranë, përveç punës së përditshme si skulptor, Ardian Pepa është edhe pedagog pranë Universitetit të Arteve.
Në një rrëfim për Gazeta “SI”, Pepa flet për dashurinë ndaj figurës së Skendërbeut dhe krenarinë që ndjen tashmë si skulptor i tij.
“Është e vërtetë se kohët e fundit kam pasur fatin të realizoj disa monumente të heroit tonë brenda pesë viteve, ku dy prej tyre janë realizuar brenda vitit 2024, në San Bassile tek arberëshët në Itali dhe në Tuz, në Mal të Zi, ku unë jam bashkëautor.
Për këtë fakt jam etiketuar si skulptori i Skendërbeut dhe më vjen mirë, sepse ështe një ndër figurat më emblematike të kombit tonë dhe në skulpturat që realizoj bashkë me të do të skalitet dhe emri im”.
Që nga fëmijëria e hershme kur Ardiani u njoh me tregimet e moçme mbi veprat heroike të Skendërbeut, atij i lindi dashuria e madhe për të dhe pasioni për veprat e tij.

“Ishte një ëndërr qe kisha që i vogël prej momentit kur u njoha me tregimet dhe legjendat dhe me historinë e tij. Herë pas here skicoja dhe përftyroja se si do ishte Skendërbeu në të vërtetë. Kjo ndjenjë e femijërisë dhe pasioni për figurën e heroit, u bë realitet mbas disa viteve studime dhe eksperiencë në skulpturë ku unë ia dola ta përjetesoj në disa qytete si San Basilea-Itali, Tuz , Pukë dhe Lezhë ”
Por Pepa flet për situatën e skulpturës shqiptare sot, duke mos lënë pa përmendur edhe rolin e “babait” të skulpturës shqiptare, Odise Paskali si frymëzim. Gjithashtu ai thotë se skulptura shqiptare ka vazhdimësi pasi në Universitetin e Arteve ku ai jep mësim, herë pas here vinë studentë të talentuar.
“Odise Paskali ishte përfaqësues i denjë i Rilindjes Shqipëtare dhe një autor që është marrë shumë me figurat historike. Sigurisht ne kemi një traditë të vonuar edhe për faktin se në periudhën e komunizmit , skulptura i shërbeu ideologjisë së pushtetit duke mos pasur liri të krijimtarisë së mirëfilltë personale,e kjo për shkak-pasoje edhe mbas viteve 90-të artistët patën vështirësi në konsolidimin e një arti të mirëfilltë me përfaqësues por dhe frymëzues nga arti europian.

Për mendimin tim skulptorët shqiptar si ato figurativ dhe ato modern kanë një qasje të mirë europiane. Gjithashtu mendoj se ka përpjekje individuale të disa artistëve bashkëkohorë ta mbajnë paralel skulpturën krijuese dhe atë komerciale ,duke kontribuar dhe në vazhdimesi ku herë pas here në Universitet vinë studentë të talentuar që premtojnë në të ardhmen”
Pepa flet dhe për raportin e skulpturës në publik mes asaj realiste dhe asaj moderne. Sipas tij skulptura realiste është më e pranueshme për estetikën por dhe për syrin e publikut duke qënë vepra që simbolizojnë figura të njohura me kontribut të madh shoqëror, diçka që skulptura moderne-abstrakte sipas tij nuk e ka ende.
“Mendoj se të shkosh deri te skulptura abstrakte duhet të kalosh disa faza transformimi artistik dhe psikologjik ku çdo artist e sheh në menyrë kreative dhe esenciale thelbin e formes që transmeton ndjesi të pa kuptueshme dhe i formëzon në mënyre të vullnetshme ose jo. Dhe që perceptohen ose përthithen nga një publik i rrallë. Kemi si shembull monumentin e Fishtës në Shkodër i cili nga ana koncpetuale u bazua në veprën e Fishtës por që në fakt nuk u pranua nga masa e gjërë duke ngjallur debate dhe kritika”

Pepa: Kaosi urbanistik e ka zhbërë proporcionin mes monumenteve dhe godinave
Por skulptura përtej se art është edhe raport estetik me përrethësinë duke qënë se janë vepra të destinuara për një ambient publik, shesh ose bulevard. Në këtë sens Pepa thekson se kaosi urbanistik i Tiranës shpesh e mbyt dhe rolin e monumenteve.
“Tirana është një metropol që mbjell kaos ndërtimesh. Për pasojë këto ndërtime pa kriter e kanë prishur dhe raportin e një plani i cili është menduar me shumë pak godina se sa po ndërtohen aktualisht. Shkak i kësaj , bien pre dhe disa vepra monumentale si monumenti i heroit në sheshin Skënderbej përshëmbull, ku hapësira është zaptuar nga këto ndërtesa gjigande e per pasoje e ka humbur proporcionin dhe ndjesine estetike duke na dhënë shpesh idenë se ndodhet në vendin e gabuar. Në fakt është e kundërta, janë ndërtimet ato që janë gabim”

Por përtej skultpurës Ardian Pepa ka realizuar dhe skenografi të cilat ai i quan si përvoja të rëndësishme të artit të tij, por thekson se vokacioni i tij dhe pasioni i madh mbetet skulptura.
“Kam realizuar disa skenogafi të rëndësishme me disa skenografë të njohur, dhe ka qënë një eksperiencë e jashtëzakoshme sepse u njoha me shumë teknika dhe një dimension tjeter të ekspozimit dhe kompozimit të disa objekteve të realizuar në butafori të cilat duhej ti pershtateshin temës dhe formatit të spektaklit. Spektakle si “Mis Ëorld” apo festivali i kantos “Marije Kraja” kanë qënë të rëndësishme për mua, por duke e parë gjithmonë në plan të dytë sepse synimi im ishte skulptura publike monumentale dhe krijimtaria artistike”
Pepa thotë se ka pasur edhe kërkesa të çuditshme për realizim skulpturash personale e gjithashtu ka dhe një koment për skulpturat thuajse qesharake të Skendërbeut dhe Adem Jasharit të cilat ngjallën pakënaqësi në publik e gjithashtu u shndërruan në “meme”.

“Edhe unë kam pasur një rast të një personazhi publik që porositi shtatoren e vet në bronz në një mënyrë jo të zakonshme, për ta prezantuar në një ekspozitë personale. Por këto janë punë private të cilat nuk i shërbejnë publikut. Punë në përditshmëri apo porosi të cilat i bëj me kënaqësi por që mbeten vetëm si fond vetjak i porositësit.
Sa i përket Kosovës , në fakt janë realizuar disa shtatore qesharake nga individë që nuk e njohin mirë skulpturën monumentale e duke u nisur edhe nga injoranca e porositësit kjo bëhet dhe më qesharake. Figura të tilla si Skenderbeu apo Adem Jashari meritojnë skulptura serioze dhe realizues serioz” mbyll rrëfimin Ardian Pepa.

Edhe pse Skënderbeu është figura e preferuar e tij , ai ka realizuar dhe punë të tjera mes tyre edhe shtatoret e Nënë Terezës në Vaun e Dejës dhe në Kamëz , bustin e Petro Markos, monumentin e Françesk Radit te kodrat e liqenit e gjithashtu monumentin e Migjenit në Pukë, një atraksion tashmë për këdo që viziton Pukën. punë të cilat e bëjnë Ardian Pepën një nga skulptorët më të dashur e gjithashtu më të kërkuar në trevat shqipfolëse.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




