Nga Gazeta ‘Si’– Të paktën mbi 232 mijë shqiptarë që banojnë jashtë vendit do të kenë mundësi për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 11 majit të këtij viti.
Ndonëse afati i kërkesave për regjistrim u mbyll mesnatën e mbrëmshme, ky numër pritet të rritet më tej, pasi deri paraditen e së mërkurës(5 mars) ishin ende mbi 19 mijë kërkesa në fazë shqyrtimi. Vetëm gjatë ditës së djeshme, pati mbi 13 mijë e 200 aplikantë të rinj.
Asnjë shans për të rishikuar mbi 42 mijë kërkesa të refuzuara, për shkak të gabimeve në fazën e regjistrimit apo dokumentacionit jo të plotë. Një propozim për shtyrje të afatit të regjistrimit u rrëzua dje pasdite në Komisionin Rregullator, ndërsa ideja e hedhur nga kryekomisioneri Ilirjan Celibashi për të parë mundësinë e lënies së hapësirës për të trajtuar refuzimet, nuk gjeti mbështetje.
E shtruar si çështje dhe në mbledhjen e Komisionit Rregullator nga një prej anëtarëve, ideja nuk u hodh për votim.
Gati 49.5 mijë votues të regjistruar i përkasin Tiranës, e pasuar nga Fieri me mbi 30 mijë votuesë nga jashtë dhe Durrësi e Elbasani me mbi 23.5 mijë të tillë.
Brenda datës 9 mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të publikojë listën paraprake të këtyre zgjedhësve. Emrat e tyre do të hiqen më pas nga lista e votuesve në Shqipëri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



