Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama u ka bërë sërish thirrje emigrantëve që të kthehen në atdhe për të investuar. Në rubrikën ‘Sy m’Sy‘, Rama ka ndërhyrë në një debat mes komentuesve mbi nivelin e pagave në Shqipëri krahasuar me ato në Greqi.
“Ata që thonë që është më mirë në Greqi nuk është e vërtetë”, shkroi një nga komentuese.
“Gënjeshtër! Unë punoj çoban dhe marr 1 mijë euro, shtëpi drita ujë i paguan pronari. Në Shqipëri në një karburant për 250 mijë lekë”, iu përgjigj komentuesi tjetër.
Njrit prej tyre, i cili shkruante se në vendin tonë ka pas punuar me 250 mijë lekë të vjetra pagë dhe tashmë në Greqi merr 1 mijë euro, Rama iu përgjigj se Shqipëria ka kaluar një fazë ndryshimesh të mëdha ekonomike dhe nuk ka më paga 250 mijë lekë të vjetra.
Ai theksoi gjithashtu se në sektorin i turizmit dhe ndërtimit në Shqipëri, ofrohen të ardhura të ngjashme me ato të Greqisë, por me taksa më të ulëta. Ai shtoi se për ata që punojnë jashtë qytetit, shumë kompani u mbulojë shpenzimet për ushqim dhe akomodim.
“Ka kohë që nuk ka më rroga 250 mijë lekë të vjetra në Shqipëri. 57% e rrogave në Shqipëri nuk kanë asnjë taksë, ndërsa 36% prej e tyre kanë nga 4-10% taksë. Kurse vetëm rroga mbi 1300 euro e kanë taksën mbi 10%. E dyta me turizëm dhe ndërtim në Shqipëri merr sa në Greqi dhe paguan më pak taksë, ndërsa kur je jashtë qytetit edhe fjetjen edhe ushqimin ta paguan kompania, këto janë fakte. Dhe me këto shpjegohet edhe kthimi i atyre që kanë filluar të kthehen dhe të punojnë në turizëm apo i atyre që kursejnë në agroturizëm kursimet e tyre nga jashtë. Se ju del ku e ku më mirë”, u shpreh kryeministri Rama.
Koha ka ndryshuar edhe në Europë e botë, shprehet Rama, duke theksuar sipas tij se kostoja e jetesës është rritur aq shumë sa nuk ka më kursime si dikur.
“E treta, avash me kekun dhe me byrekun, se nuk janë më kohërat që ishin. Nuk është më njësoj bota e Europa me atë që ishte deri dje. Kostoja e jetesës është rritur aq shumë sa s’ka më kursime si dikur. Secili t’i shohë me qetësi opsionet e veta dhe të vendosë qoftë për tu kthyer plotësisht qoftë pjesërisht, ca kohë këtu ca kohë atje, apo qoftë duke investuar këtu e duke ndenjur atje. Të gjitha janë të mundura dhe nga të gjitha këto gjen te njerëzit që janë kthyer apo i kanë kthyer sytë nga Shqipëria. Jemi në rrugën drejt majës së Shqipërisë 2030, për pak vite do jemi anëtarë të BE, gjithçka do të ndryshojë por kush vjen sot i jep vetes mundësinë të fitojë më shumë, përpara se me hyrjen në BE gjithçka të bëhet njësoj si kudo tjetër”, u shpreh Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




