Nga Gazeta ‘Si’- Ka vetëm një rast kur drejtësia, me mjetet e duhura ligjore, ka përgjuar zyrtarë të lartë me qëllim zbulimin e krimeve zgjedhore apo siç njihet në gjuhën e përditshme – shitblerjen e votës. Ky është rasti i zgjedhjeve të pjesshme të Dibrës në vitin 2016.
Por ka shumë raste, kur, në ndjekje të organizatave kriminale, drejtësia ka verifikuar bashkëpunimin në zgjedhje të politikës me krimin e organizuar, madje dhe influencën e krimit në përcaktimin e listës së deputetëve. Të ndëshkuar për krime zgjedhore në nivele të larta, edhe ky një rast kontrovers dhe plot dyshime, ka vetëm një – kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri.
Përgjimet audio, në bazë të të cilave u kërkua arrestimi i tij, nuk iu vunë kurrë në dispozicion as Belerit, as publikut.
SPAK në veprim – Përplasja me Ramën
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e ka detyrë funksionale zbulimin dhe ndëshkimine krimeve zgjedhore, veçamërisht, kur krimi lidhet me zyrtarë të lartë dhe të zgjedhur. Ndryshe nga viti 2021, kur u mbajtën zgjedhjet e fundit parlamentare dhe SPAK-u kishte më pak se 1 vit e gjysëm që ishte krijuar, në këto zgjedhje, Prokuroria e Posaçme ka vendosur krimet zgjedhore në krye të axhendës së punës. Për këtë qëllim, SPAK-u ka hartuar një strategji që synon të parandalojë sa më shumë deformimin e rezultatit të zgjedhjeve për shkak te blerjes së votës, keqpërdorimit të burimeve publike dhe presionit mbi zgjedhësit, vëçanërisht, mbi administratën shtetërore.
Deri disa orë strategjia nuk ishte bërë publike, por vendimi ndryshoi papritur të enjten, kur kryeministri Edi Rama atakoi mënyrën sesi SPAK-u po kontrollon zbatimin e ligjit në lidhje me zgjedhjet. Fjalët e kryeministrit ishin të paprecedenta.
“Po survejohen partitë politike në një proces elektoral”- u shpreh kryeministri, duke i kujtuar SPAK-ut se “krimet elektorale luftohen nga pozicione kushtetuese, dalja prej të cilave, është ndërhyrje flagrante në liritë dhe të drejtat politike të shqiptareve dhe të përfaqësuesve të tyre”. Dhe për ta çuar deri në fund kundërshtimin e tij, me urimin që “kjo të jetë një lajthitje e momentit”, kreu i qeverisë i bëri thirrje SPAK-ut “të ndalë çdo lloj survejimi në territor për të mos u kthyer në kohërat e errëta të survejimit të kujtdo që merret me politikë”.
Kryeministri nuk tha se nga e ka marrë informacionin e survejimit prej SPAK-ut apo kush konkretisht po survejohet nga SPAK-u, por e sigurtë është që Prokuroria e Posaçme po përgjon dhe do të përgjojë deri në ditën e zgjedhjeve. Gazetasi.al i kërkoi SPAK-ut një reagim për qendrimin e kryeministrit, por në vend të një përgjigjeje direkte, SPAK-u bëri publik Strategjinë e Hetimit dhe Parandalimit të Krimit Zgjedhor. Dukshëm për t’iu përgjigjur kryeministrit se gjithçka që Prokuroria po bën kundër blerjes apo presionit të votës, nuk është lajthitje, por një detyrim ligjor, rekomandim nga vetë Kuvendi i Shqipërisë dhe kërkesë e Bashkimit Europian “për të adresuar kulturën e pandëshkueshmërisë, ku përfshihen edhe krimet elektorale.”
Të gjithë nën përgjim!
Me qëllim që të parandalojë krimet zgjedhore, SPAK-u i ka vendosur vetes 7 objektiva, por ajo që bie më shumë në sy ndër to janë fjalët kyçe “identifikim i shpejtë i krimit zgjedhor”, “parandalim i ndikimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit të zyrtarëve apo biznesit në zgjedhje”, “monitorim në kohë reale dhe ndërhyrje e shpejtë kundër manipulimit të zgjedhjeve”, “hetime profesionale dhe të shpejta me mesazhin se krimi zgjedhor do të ndiqet dhe ndëshkohet”.
Me çfarë mjetesh arrihen këto objektiva? Strategjia e publikuar nga SPAK-u e thotë shumë qartë: Përmes përgjimeve. Në gjuhën e prokurorëve këto quhen “teknika të posaçme hetimore”, një togfjalësh që e gjen shpesh në strategji sa herë flitet për suksesin e hetimit të krimeve në lidhje me zgjedhjet e 11 majit. “Përdorimi i teknikave të posaçme të hetimit, përfshirë hetimet financiare dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, për të siguruar një hetim të shpejtë dhe efektiv të rasteve”- është një fjali.
Ndërsa diku tjetër e gjen kur SPAK tregon si do ta luftojë korrupsionin zgjedhor, qoftë nga politikat apo zyrtarët e lartë qoftë nga krimi i organizuar. “Strategjia udhëhiqet nga qasja proaktive e hetimit dhe provueshmëria në kohë reale e veprave penale në kuadër të zgjedhjeve, duke synuar efekte konkrete për mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe pacënueshmërinë e të drejtës së qytetarëve për të votuar në zgjedhjet për Kuvendin 2025. Nga ana tjetër, synohet të parandalohet ndikimi i krimit të organizuar në integritetin e procesit zgjedhor, përmes masave konkrete dhe teknikave të posaçme hetimore”- thuhet në Strategjinë për Hetimin dhe Parandalimin e Krimeve Zgjedhore të SPAK-ut.
Në këtë Strategji janë vendosur disa baza kyçe për hetimin: pavarësinë, për të kryer hetimet pa ndikimi politike apo presione; monitorimin dhe hetimin dinamik, që varet nga grupet në terren; identifikimin e zyrtarëve të lartë dhe të zgjedhurve, por edhe të grupeve kriminale, të cilët mund të përfshihen në korrupsion zgjedhor; monitorimin e përdorimit të buxhetit për të mos lejuar abuzimet gjatë periudhës zgjedhore. Për të realizuar qëllimin, SPAK-u ka nxjerrë në terren 12 grupe hetimore, që përkojnë me 12 qarqe zgjedhore.
Secili grup drejtohet nga një prokuror i posaçëm, që ka në përbërje të tij edhe hetues të BKH-së, hetues financiarë dhe staf mbështetës për të bërë të mundur verifikimin e denoncimeve, hetimin e shpejtë dhe ndëshkimin e krimit zgjedhor. Veprimtaria e 12 grupeve hetimore në terren ka një mbikqyrje të posaçme nga zyrat qendrore të SPAK-ut, në operacion që drejtohet nga kreu i SPAK-ut Altin Dumani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




