Nga Gazeta ‘Si’– Kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në qeli prej datës 10 shkurt kur SPAK lëshoi urdhër arresti për të, është shprehur se do ta fitojë betejën.
Përmes një statusi në Facebook, Erion Veliaj thekson se në jetën e tij nuk ka asnjë turp, duke shtuar se “as kam vjedhur, as kam vrarë, as kam shantazhuar, e as do lodhem së zbërthyeri çdo akuzë”.
Kryebashkiaku i Tiranës reagoi në lidhje me akuzat e Prokurorisë së Posaçme të ngritura ndaj tij, se udhëtoi me avion me biznesmenin Gentian Sula dhe se punësoi bashkëshorten e këtij të fundit si zëvendësministre ku drejtonte Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
“Unë kam qenë në avione, në të cilët kanë hipur me mijëra njerëz në 20 vite, ndaj kjo provë është aq e dobët”, shkruan Veliaj, teksa shtoi se “zëvendësministër të bën Këshilli i Ministrave dhe jo Ministri”.
Veliaj shtoi se “kjo betejë do fitohet përditë e nga çdokush që do një vend të drejtë”, ndërsa kishte edhe një mesazh për qytetarët ku iu drejtua: “Ju dua shumë e më merr pafund malli për të gjithë ju”.
Veliaj thotë se prokurori Dado merr dyfishin e rrogës së tij për të bërë drejtësi, që sipas tij, nuk po e bën siç duhet, “por futet nën fustanet e grave.”
“Tani po e kuptoj hezitimin e Genta Sulës kur nga eksperte e Bankës Botërore i thosha të kalonte në shtet, prej skuthave kompleksivë si Ols Violina, që po panë një grua të mençur, të hijshme, të aftë, profesioniste, të pavarur, të dlirë, të artikuluar, të lexuar e të arrirë, i sulen si pitbull me jargë e skërmitje, për t’i thënë vetes “jam i fortë, shih si futem në fustane dhe e mbaj gruan e targetit 9 orë në inkuizicion”, shkroi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




