Gazeta Si – Sali Berisha ka mobilizuar militantët e Partisë Demokratike për nesër, e hënë 17 shkurt, për ta mbështetur në zbatim të masës së sigurisë “detryrim paraqitje” të vendosur nga Apeli i GJKKO, pasi akuzohet nga SPAK për aferën e privatizimit të klubit sportiv “Partizani” prej dhjetorit 2023.
Partia Demokratike, në një mesazh të shpërndarë struktruave të saj, ka kërkuar mobilizim për kryedemokratin, por sipas burimeve nuk do të ketë protestë, por vetëm mobilizim.
“Të dashur miq. Nesër ditën e hënë në ora 9:30, sërish Kryetari i PD, Prof Dr Sali Berisha do jetë në dyert e SKAP. Ju lutem të mobilizojmë strukturat e degëve për të qenë të gjithë aty. Në orën 9:30 përpara selisë SKAP-it. Faleminderit”, thuhet në mesazhin e PD.
Që kur iu ndryshua masa e sigurisë në detyrim paraqitje, Berisha është shoqëruar nga militantë dhe deputetë demokratë gjatë vajtjes së tij në Prokurorinë e Posaçme, ku ka mbajtur edhe fjalime pasi ka dalë prej andej, me mikrofonë në podiume të improvizuara jashtë godinës.
Në fakt, kjo thirrje pë mobilizim ndaj militantëve demokratë, para dyerve të SPAK në mbështetje të liderit të tyre, vjen pak ditë pas pranisë së mbështetësve të kryebashkiakut të Tiranë, Erion Veliaj, i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash nga SPAK.
Një lëvizje që u kritikua nga nga vetë Sali Berisha dhe shkaktoi një përplasje dhe akuza mes Prokurorisë së Posaçme dhe institucioneve të tjera të drejtësisë së re, ndaj Policisë së Shtetit, me pretendimin se u cenua jeta e gjyqtarëve dhe punonjësve.
Ironia qëndron në faktin se Sali Berisha pati kritikuar ashpër tubimin e mbështetësve të Erion Veliajt pranë godinës së SPAK në momentin që për kryebashkiakun po jepej vendimi i gjykatës.
Para tre ditësh, në një bashkëbisedim me gazetarët, Berisha i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama që të mos guxojë të protestojë më para SPAK, pasi në të kundërt do të kundërpërgjigjet me protesta përfundimtare për të.
Kryedemokrati Berisha, do të duhet që të paraqitet në SPAK dy herë në muaj, saktësisht të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




