Politike

Reagimi i KLGJ për presionin ndaj gjyqësorit, Rama: Këto nuk janë sulme, por thirrje për standarde demokratike

Nga Gazeta ‘Si’-Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj apelit të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) për shmangien e presionit ndaj gjyqësorit, duke theksuar se deklaratat e tij nuk ishin sulme, por thirrje për plotësimin e standardeve demokratike në sistemin e drejtësisë.

Në një prononcim gjatë rubrikës “Sy M’Sy”, Rama sqaroi se ai ka cituar një raport të Komitetit të Parandalimit të Torturave të Këshillit të Europës, ku Shqipëria vlerësohet për numrin e lartë të paraburgimeve, duke shtuar se kjo ka ndodhur për shkak të ndalimeve pa prova dhe konfiskimit të telefonave në kundërshtim me ligjin.

 “Ata që dalin atje KLGJ, që më vjen mirë që i dëgjova zërin se nuk ia kam dëgjuar ndonjëherë. Mirë bëjnë ata që flasin, jo po trysnia jo po.. Po ça thashë unë? Edhe për paraburgimin e ka thënë KiE. Këto nuk janë sulm, por thirrje për standarde. KLGJ duhet të shqetësohet, jo të bëjë korporatën atje. Çfarë trysnie? Ju merrni shikoni a ka të vërteta në ato që u thanë apo jo. Nuk ju vjen e keqja nga PS dhe Edi Rama, e kemi treguar ne atë. Ne nuk mbajmë shënime armiqësira politike, por çdokujt i japim hakun e vetë. Ju bëni punën atje se keni gjithë ato para, keni një buxhet të jashtëzakonshëm. Çfarë bëjnë ato 1 mijë apo 2 mijë punonjës atje? A janë të vërteta ato dosjet e atij gjykatësit me “Toyota Yaris”? Atë vërtetoni ju. Dilni e toni nuk janë të vërteta dhe unë jam i lumtur”, tha Rama.

Duke u ndalur në përmirësimin e kushteve në drejtësi, Rama kërkoi që regjistrimet audio-vizuale të intervistave të personave të ndaluar të bëhen një praktikë standarde, për të parandaluar keqtrajtimin dhe intimidimin.  

 “Regjistrimet audio-vizuale, jo vetëm audio, të intervistave me personat që pyeten përbëjnë një mbrojtje të rëndësishme kundër keqtrajtimit, intimidimit dhe në princip thotë se ato duhet të mbulojnë të gjitha fazat e pyetjes së personave. Komiteti për parandalimin torturës e inkurajon Shqipërinë që të shtrijë regjistrimin audio-vizual në të gjithë personat e ndaluar. Se them unë, e thotë KiE, është standard demokratik. Në një kohë që kemi bërë një reformë me një mbështetje masive të drejtësisë së re, ku vetëm në vitin që lamë i janë akorduar 1.2 miliardë lekë. Ça duhet të bëjmë ne? Të pranojmë që akoma të merren dëshmitë me orë të tëra dhe në fund të japin 5 fletë aty dhe të thonë firmosi?

Këtë duhet të pranojmë ne? I kemi parë këto në të kaluarën dhe anti-korrupsioni kur del nga shinat mund të behët edhe më i rrezikshëm se korrupsioni. Si qenka kjo që u merren telefonat dhe mbahen peng? Sheh gjithçka që ka brenda dhe madje bën edhe shantazhe për komunikime që mund të jenë tërësisht intime, çfarë standardi qenka kjo? Drejtësia duhet të hyjë vetëm për çështjen që po heton dhe duhet ta kontrollojë në praninë tënde dhe jo ta marri peng”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë