Nga Gazeta ‘Si’- Këshilli i Lartë Gjyqësor ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama ndaj SPAK dhe GJKKO, lidhur me çështjen e kryebashkiakut, Erion Veliaj.
Nëpërmjet një njoftimi, KLGJ kërkoi që të mos bëheshin deklarata të tilla nga ‘njerëz të veshur me pushtet’ apo dhe media, që cenonin pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe gjyqtarëve, që ‘preknin dhe cenonin figurën’ e tyre.
“KLGJ mban qëndrimin se çdo përpjekje për të cenuar pavarësinë e gjyqësorit, nëpërmjet trysnisë apo presionit të çfarëdo lloji, përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit”, njofton KLGJ.
Këshilli njofton më tej se “në përmbushje të angazhimeve të tij ligjore, iu bën thirrje të gjithë aktorëve që të shmangin trysninë në formën e deklaratave, citimeve apo aludimeve që cenojnë gjyqtarët për shkak të ushtrimit të funksionit”.
Duke kujtuar rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, KLGJ kujtoi se rruga e vetme për të ndjekur këto çështje është drejt një gjykate më lartë.
“Në një shtet të së drejtës, pavarësia e gjyqësorit është një ndër shtyllat themelore për garantimin e drejtësisë dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve. Gjyqtarët duhet të jenë të lirë nga çdo lloj forme që ndërhyn në vendimmarrje, në mënyrë që të ushtrojnë detyrën në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi”, nënvizon KLGJ.
Këshilli thekson “se në një shtet që është duke përmbushur kriteret e anëtarësimit në BE, mënyra e vetme e kundërshtimit të një vendimmarrjeje gjyqësore duhet të jetë përmes ushtrimit të mjeteve ligjore, duke u ankuar në një gjykatë më të lartë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




