Nga Gazeta ‘Si’- Oerd Bylykbashi, deputet i Partisë Demokratike paraqiti sot në Komisionin për Çështjet Ligjore disa propozime për ndryshimet në Kodin Zgjedhor për votimin nga jashtë.
Bylykbashi kërkoi që shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit të lejohen të regjistrohen në Platformën Elektronike të Regjistrimit me dokumente biometrike të vendit ku jetojnë.
“Ne propozojmë një dispozitë tranzitore në këto zgjedhje, që për zgjedhjet e vitit 2025 zgjedhësit që kanë të drejtën të votojnë që janë në listën e zgjedhësve të identifikohen në një nga këto 3 forma: a)dokumenti i identifikimit, pasaportë ose letërnjoftim kartë identiteti biometrike, brenda afatit të vlefshmërisë të lëshuara nga Republika e Shqipërisë; b) pasaportë ose letërnjoftim kartë identiteti pavarësisht afatit të vlefshmërisë të lëshuara nga Republika e Shqipërisë, pra dhe ato të skaduar; c)Pasaportë ose letërnjoftim kartë identiteti biometrik, brenda afatit të lëshuar nga vendet e BE-së, SHBA, dhe çdo vend tjetër që ka një dokument të tillë biometrik”, u shpreh Bylykbashi.
Bylykbashi tha se duhet t’i mundësohet zgjedhësve të Republikës së Shqipërisë e drejta e votës.
“Një dispozitë ligjore, e vitit 2008, sot është e vjetër pasi nuk reflekton jo vetëm zhvillimin e instrumenteve të KQZ, por nuk reflekton as një reformë të madhe që ka ndodhur tani i cili është votimi nga jashtë. Këtë reformë të madhe që nisi në 2020 dhe u plotësua në 2024 ajo dispozitë nuk e lejon të zbatohet. Bëhet penguese sepse tashmë situata ka zhvilluar në mënyrë reale shumë larg asaj dispozitë”, tha Bylykbashi.
“Askush besoj në këtë pikë përfshirë dhe çka thënë Gjykata Kushtetuese nuk mund të ngrenë pretendime që bëjnë të pamundur të drejtën e votës nga jashtë Shqipërisë përfshirë këtu edhe kufizime të karakterit financiar”, shtoi më tej Bylykbashi.
“Numri i personave me të drejtë vote jashtë Republikës së Shqipërisë siç ia lejon Kushtetuta është rreth 1 milion e 800 mijë deri në 2 milionë shtetas. Nga të dhënat zyrtare të publikuara nga KQZ, jo nga Ministria e Brendshme janë rreth 600 mijë shtetas pa dokument identifikimi të vlefshëm. Rezulton se 150 mijë shtetas nuk kanë asnjë lloj dokumenti. Pra numri i personave që do të pengohen nga kjo e drejtë kushtetuese është i jashtëzakonshëm. Dispozita që ne e propozojmë e garanton këtë” tha Bylykbashi.
Sipas Bylykbashit, çdo pengesë lidhet me interesin për të mos i lënë ata të votojnë pasi janë jashtë skemës së patronazhimit të qeverisë.
“Qeveria të vendosë se kush i pëlqen dhe kush nuk i pëlqen për të votuar është antikushtetuese. Akti normativ është i vonuar i paplotë, diskriminues. Duhet të kishte dalë para datës 11 janar”, tha Bylykbashi.
Sa i takon aspektin teknik sipas Bylykbashit është e mundur.
“Bëhet në sistemin PER, i njihen të dhënat. Numri personal lejon të futet manualisht. Fotografia biometrike njihet nga sistemi PER. Fotografia që i merret zgjedhësit kontrollohet me fotografinë e dokumentit”, tha Bylykbashi.
Bylykbashi propozoi po ashtu edhe ndarjen e barabartë të kohës në radio apo televizionet private për kandidatët që janë në lista të hapura.
“Në nenit 84 pika 5, pas fjalisë së parë për kandidatët e listës që i nënshtrohen votimit parapëlqyes të partive politike të regjistruar në zgjedhje, koha e përgjithshme e transmetimit të reklamave politike gjatë fushatës zgjedhore nga secila radio dhe TV privat nuk mund të jetë më shumë se 140 minuta, duke përdorur si kriter numrin e kandidatëve të listës së hapur në total që ka çdo subjekt zgjedhor. Të gjithë do të kenë të drejtën të gjejnë hapësirën e tyre për të shprehur mesazhin e tyre politik”, tha Bylykbashi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




