Ligji për Akademinë e Shkencave, i kundërshtuar nga opozita, do të vazhdojë të jetë në fuqi, edhe pas shqyrtimit në Gjykatë Kushtetuese. Kërkesa e dorëzuar më 10 maj 2024 e 37 deputetëve të opozitës me në krye Ina Zhupën, është rrëzuar nga Kushtetuesja.
Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese shkruhet se ishte e pamundur të formohej numri i kërkuar prej 5 gjyqtarësh për vendimmarrjen e pretendimeve të tjera të kërkuesit, që lidheshin me cenimin e parimit të barazisë përpara ligjit dhe mosdiskriminimit, si dhe të parimit të sigurisë juridike.
Votimi është ndarë në barazim 4-4, për pikën e parë që deputetët e opozitës kërkonin rrëzimin e ligjit, për shkak të shkeljeve procedurale. Opozita pretendoi se ligji kaloi përmes një mbledhje të parregullt në Komisionin e Edukimit, pasi ky i fundi u mblodh pa dijeninë e kryetares.
4 gjyqtarë vlerësuan se ligji duhej të shfuqizohej për shkak se mbledhja e Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik nuk ishte thirrur sipas parashikimeve të nenin 78, pika 2, të Kushtetutës dhe nenit 32, pika 2, të Rregullores së Kuvendit, duke mos vijuar më tej me shqyrtimin e pretendimeve të tjera të kërkuesit, ndërsa 4 gjyqtarët e tjerë e vlerësuan si të pabazuar këtë pretendim dhe u shprehën se mund të vijonin shqyrtimin e pretendimeve të tjera në themel.
Për shkak se një shumicë prej 5 votash nuk u gjet për këtë pikë Gjykata Kushtetuese nuk vazhdoi me shqyrtimin e kërkesave të tjera.
Në kërkesën me 37 firma deputetësh opozita pretendonte se ndryshimet ligjore kanë shkelje të mëdha kushtetuese, ku më themelorja ishte fakti se politika kap Akademinë e Shkencave, i bërë sipas deputetes Zhupa që në krye të këtij institucioni të zgjidhej Skënder Gjinushi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




