Nga Gazeta ‘Si’- Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi kërkoi sot nga bashkitë të marrin masa të menjëhershme për respektimin e afateve dhe kërkesave ligjore në lidhje zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Detyrimet që burojnë nga Kodi Zgjedhor kanë të bëjnë me publikimin e listave të zgjedhësve, njoftimin me shkrim të zgjedhësve dhe raportimin për vendndodhjen e qendrave të votimit (QV).
Sipas Celibashit, nga monitorimi i bërë nga KQZ janë konstatuar vonesa në afishimin e listave të zgjedhësve në disa bashki.
Po ashtu, ka vështirësi në aksesimin e zgjedhësve me aftësi të kufizuara ndërsa informacioni për caktimin e QV-ve dhe njoftimi i zgjedhësve ende nuk është raportuar.
Sipas Celibashit, procesi i njoftimit të zgjedhësve nuk ka filluar në shumicën e bashkive për shkak të mungesës së fondeve dhe modelit të njoftimit, ndërsa afati për përfundimin e tij është 6 mars 2025.
Për të adresuar këto problematika, KQZ i kërkon bashkive të përfundojnë raportimin e caktimit të vendndodhjes së qendrave të votimit brenda afateve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor.
Gjithashtu, i kërkon Ministrisë së Brendshme lehtësimin e procesit të njoftimit të zgjedhësve për të siguruar që ky proces të realizohet brenda afateve ligjore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




