Politike

Ilir Meta i flet protestuesve nga burgu: Edi Rama kreu i mafias në pushtet!

Nga Gazeta ‘Si’- Nga qelia numër 5 e paraburgimit në “Jordan Misja”, presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i është drejtuar me një fjalim audio, protestuesve që janë mbledhur këtë të shtunë nën thirrjen e Partisë Demokratike për të kërkuar qeveri teknike para Kryeministrisë.

Kreu i Partisë së Lirisë në fjalën e tij e vendosi theksin te korrupsioni, si arsyeja kryesore për të cilën duhet rrëzuar qeveria Rama.

“Përshëndetjet më të përzemërta për të gjithë ju misionarët që protestoni plot guxim kundër narkoregjimit të vetëm në Europë. Çdo shtet ka mafien e tij por në Shqipëri mafia ka shtetin e saj. Kjo tashmë dëshmohet edhe nga ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj, krahu i djathtë i Edi Ramës për 10 vite në pushtet. Kjo dëshmi historike vjen nga një dëshmitar okular i disa prej aferave më të rënda të Edi Ramës. Ahmetaj na provoi sesi shteti është shndërruar në organizatë kriminale”, tha Meta.

Meta hodhi akuza për ato që i cilësoi dështimet e qeverisë së Ramës.

Meta e akuzoi Ramën se ka dështuar të realizojë premtimet, duke përmendur mungesën e një sistemi shëndetësor falas dhe dështimin e projektit të naftës në Shpirag.

Përveç kësaj, ai e cilësoi Ramën si një “kusar” që, sipas tij, ka sjellë diskriminim për pensionistët dhe i ka ofruar vetëm “bonusin e mjerimit”.

Meta ngriti pyetjen pse pensionet në Kosovë, me një buxhet më të vogël se Shqipëria, janë dy herë më të larta, duke sugjeruar se shkak është menaxhimi i keq i financave të shtetit nga ana e Ramës.

Ai përfundoi duke akuzuar Ramën se ka abuzuar me fondet publike, duke i kanalizuar ato në projekte të dyshimta si inceneratorët që, sipas Metës, nuk ekzistojnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë