Politike

Vendimi / Drejtuesit politikë të PD përjashtohen nga primaret, Flamur Noka: Duhet të menaxhojnë procesin dhe të dirigjojnë fushatën

Nga Gazeta ‘Si’- Në strukturat e Partisë Demokratike në të gjithë vendin nuk flitet më shumë sesa për primaret, një proces në të cilin anëtarësia do të votojë për kandidatët që duhet të përfaqësojnë opozitën në zgjedhje.

Kjo është hera e parë që anëtarët e PD-së zgjedhin me këtë statut kandidatët për deputetë dhe pikëpyetjet janë disa. Do të votohet në nivel dege, në nivel qarku apo në nivel kombëtar? Do të përfshihen në garë drejtuesit politikë?

Sa nga kandidatët me më shumë vota do të përfshihen në listën e sigurtë finale që do të dorëzohet në KQZ?

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Flamur Noka pohoi për Gazetasi.al se ka një opinion të gjerë në struktura për t’i përshtatur primaret me organizimin zgjedhor. 

“Përsa kohë zgjedhjet zhvillohen në nivel qarku, prevalon mendimi që niveli i qarkut do të duhet të jetë ai që do të duhet të garohet. Po të kishte nivel propocional kombëtar, mund të ishte në nivel kombëtar”- tha Noka, i cili nuk la më vend për hamendje, nëse drejtuesit politikë do të përfshihen në garë si kandidatët e tjerë apo jo.

“Në të gjithë qarqet, PD ka vendosur si drejtues politikë figura të spikatura dhe dinjitoze. Këto figura kanë treguar cilësi lidershipi, që përballin sfida dhe i fitojnë ato. Në këtë process, këta individë kanë kaluar disa procedura votëbesimesh, nuk janë njerëz të rastësishëm, prandaj Këshilli Kombëtar do të gjejë një modalitet që drejtuesit politikë të jenë menaxhues të procesit të primareve, të dirigjojnë fushatën dhe të angazhohen tek puna për partinë, jo tek interesi individual. Pra, drejtuesit politikë duhet të jenë garantë të procesit të primareve dhe të fushatës, sepse është shumë e rëndësishme që partia të funksionojë me hierarkinë e duhur”- tha Sekretari i Përgjithshëm i PD për Gazetasi.al.

Primaret besohet se do të zhvillohen në javën e parë të marsit, kur një pjesë e madhe e lidershipit qendror dhe lokal të PD-së të jetë çliruar nga detyra e takimeve me Diasporën dhe nxitjen e tyre për të votuar, proces që konsiderohet prioritar në PD dhe sipas afateve ligjore të vendosura nga KQZ, përfundon në 4 mars.

Por sa përcaktuese janë primaret për t’u përfshirë në listën e sigurtë të kandidatëve për deputetë?

Kjo është thuajse e pamundur për t’u parashikuar, pasi primaret nuk përcaktojnë listën përfundimtare të deputetëve. Sipas statutit të miratuar në Kuvendin e Rithemelimit në dhjetor 2021, kjo është kompetencë e Këshillit Kombëtar me propozimin e kryesisë.

“Seleksionimi dhe përzgjedhja e kandidaturave elektorale bëhet me votim nga anëtarësia, bazuar në sistemin e primareve, rregullat e detajuara të të cilit miratohen me vendim të Këshillit Kombëtar të PDSH-së”, – thuhet në nenin përkatës, i cili më poshtë detajon dhe vendimarrësin final, kur thotë se “Lista përfundimtare e kandidaturave elektorale të PDSH-së miratohet me vendim të Këshillit Kombëtar, sipas propozimit të Kryesisë së PDSH-së.”

Kjo do të thotë se të sigurtë për t’u marrë në konsideratë mund të jenë për qarqet e mëdha vetëm 2-3 kandidatët e parë dhe në qarqet e vogla, ndoshta, vetëm kandidati me më shumë vota. Për shkak të këtyre përcaktimeve që nuk i japin peshën kryesore votës së anëtarësisë dhe për shkak të luftës së brendshme që bëhet mes kandidatëve për të marrë sa më shumë vota, ka një shqetësim dhe ndërgjegjëim në rritje brenda lidershipit të PD-së se primaret nuk përshtaten me realitetin shqiptar dhe se statuti duhet ndryshuar.

Sigurisht jo për këto zgjedhje. Avokati numër 1 i primareve dhe, ndoshta, i vetmi është Sali Berisha!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë