Gazeta Si – Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka treguar disa gabime që bëjnë emigrantët shqiptarë gjatë aplikimit për t’u regjistruar online si votues për zgjedhjet e 11 majit.
Në një postim në rrjetet sociale, ai i ka bërë thirrje shqiptarëve që të shohin me vëmendje aplikimin e tyre duke sjellë disa shembuj të fotove që janë vendosur gabim.
Siç dallohen, përveçse janë ngarkuar gabim në platformë, foto duken edhe qesharake. Emigrantët kanë ngarkuar foto dasmash, selfie me telefon, filxhan kafeje, adresa apo tabela rrugësh lagjeje, lokacione me Google dhe deri tek avllitë e banesave.
“Lutemi aplikuesit t’i shohin me vëmendje para se të gabojnë me aplikimin e tyre si në fotot në vijim”, shkruan Ilirjan Celibashi.
Ai bën me dije se ka një buton “Ndihme” ku qytetarët mund të gjejnë video të tutorialeve dhe manualeve ndihmuese për regjistrimin e tyre.
“Që nga data 11 Janar 2025 në Platformën PER, tek Butoni NDIHMË gjenden videot, tutorialet dhe manualet ndihmuese për regjistrimin si Votues Nga Jashtë. Lutemi aplikuesit t’i shohin me vëmendje para se të gabojnë me aplikimin e tyre si në fotot në vijim”, tha Celibashi.
Sipas të dhënave në KQZ rezulton se 125 mijë zgjedhës unikë kanë bërë kërkesë për regjistrim. Prej tyre 97 mijë u është miratuar kërkesa.
Mbi 27 mijë të tjerëve u është refuzuar, pikërisht për disa prej gabimeve që mund të kenë kryer gjatë regjistrimit.
Celibashi bën me dije se në PER mund të riaplikohet pa limit deri në 4 mars 2025 edhe për ata që mund t’u jetë refuzuar kërkesa fillimisht.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




