Gazeta Si – Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri mbështet reformën në drejtësi dhe Prokurorinë e Posaçme, pavarësisht nga pezullimi i fondeve amerikane për programe zhvillimore dhe ndihma nëpër botë me urdhër të presidentit të ri amerikan, Donald Trump.
Në një një reagim publik, delegacioni i BE, bën me dije se është vënë në dijeni për njoftimin e bërë nga Presidenti Trump për të pezulluar përkohësisht të gjitha programet e ndihmës së huaj të SHBA-së për 90 ditë në pritje të rishikimeve nga administrata e re.
Delegacioni thekson se BE ka qenë në pararojë e dhënies së ndihmës për reformën në drejtësi dhe është e vendosur të vazhdojë ta mbështesë reformën në drejtësi në Shqipëri.
“Që kur sistemi i drejtësisë iu nënshtrua një reforme thelbësore në vitin 2016, BE-ja e ka intensifikuar ndjeshëm këtë mbështetje. Kjo përfshinte mbështetje buxhetore dhe mbi 50 milionë euro asistencë teknike, duke synuar veçanërisht ndërtimin e institucioneve”, thuhet në reagimin e BE.
BE thotë se roli i SPAK-ut dhe pavarësia e tij në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e çështjeve komplekse të korrupsionit, është i një rëndësie kyçe.
BE shton se e ka “mbështetur SPAK-un që nga themelimi i tij nëpërmjet asistencës teknike të dedikuar në kuadër të projekteve EU4LEA dhe EU4 FOCAL me buxhet të përgjithshëm mbi 8 milionë euro”.
BE thotë se SPAK ka dhënë rezultate konkrete në në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri.
“SPAK ka prodhuar rezultate të prekshme, duke kontribuar në përpjekjet e përgjithshme të Shqipërisë për të krijuar një historik të besueshëm në luftën kundër krimeve të rënda, krimit të organizuar dhe korrupsionit, përfshirë në nivel të lartë”, përfundon deklarata.
SHBA ka ngrirë fondet për vendet e huaja në të gjithë botën për një periudhë 90 ditore menjëherë sapo Donald Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë.
Nga ky dekret u prekën edhe institucionet shqiptare, SPAK dhe institucione të tjera të drejtësisë, përfshirë ministi dhe bashki të vendit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




