I përlotur dhe me hapat e qetë, ashtu siç luajti për 22 sezone në mesfushën e Barcelonës, Andres Iniesta i përshëndeti të gjithë në finalen e Kupës së Mbretit. Tifozët, katalanas dhe të Seviljes u ngritën në këmbë, duartrokitën dhe thirrën emrin e tij.
Andres Iniesta nuk është një lojtar dosido! Ai është magjistari, iluzionisti, artisti që mahniti një botë të tërë, mahniti edhe “France Football” që i kërkoi ndjesë se nuk i dha një Top të Artë sa kohë ai ishte në fushë.
Sot, artisti mbush 34 vjeç. Për një jetë të gjatë përpara janë pak, por për një mesfushor, shumë. Ndaj, ai kërkoi që të mos shndërrohej në një barrë për Barcelonën e tij të dashur, e vendosi që ky të jetë sezoni i tij i fundit me katalanasit, për të ikur ndoshta në Japoninë e largët.
Trofeu i Kupës së Mbretit ishte i 34-ti për të në karrierë, aq sa vite ka mbi shpinë. Por edhe këtë ekuilibër rekordesh do ta thyente, ku pak ditë më vonë do të ngrinte të 35-in, titullin kampion të Spanjës.
Megjithatë, vallëzimi i fundit i Iniestës në mesfushë ishte pa frikë në finalen e fituar 5-0 ndaj Seviles në stadiumin “Wanda Metropolitano”. Në fund ai iu drejtua trofeut të Kupës, atë mbrëmje të 21 prillit. Shokët e skuadrës e pritën poshtë, po aq sa e pritën kur shënoi në minutën e 51 golin e katërt për katanalasit; duke u siguruar që kjo të mbetej finalja e tij, finalja e Iniestës.
“Tek ai gol pati shumë emocione, shumë ndjenja, shumë histori, shumë vite. Ishin të gjitha të grumbulluara aty. E dëshiroja që të luajë në këtë finale dhe jam i lumtur që shkoi mirë”, deklaronte Iniesta.
Pas golit të gjithë lojtarët e Barcelonës e pritën në radhë për ta përqafuar, kush më shumë e kush më pak. Messi ishte tek ata që e mbajti më gjatë e dukej sikur s’donte ta lëshonte që të ikte. Ishte fotoja e asaj finaleje, e ndoshta edhe fotoja e simbol e një gjeneratë të tërë futbollistësh.
Kjo foto flet vetë! Aty janë të shkrira mijëra e mijëra minuta lojë, qindra ndeshje e dhjetra momente gëzimi e hidhërimi. Messi në kohë të mira mbështetej tek Iniesta, por mbështetej akoma më fort në ditë të vështira.
“Në fushë më pëlqen që Iniesta të luajë sa më pranë meje. Është e vështirë për lojtarët e tjerë që të bëjnë atë që bën ai. Në ndeshje të vështira, kur jemi në disavantazh i them që të luajë më afër meje, sepse është në gjendje që të mbajë kontrollin e topit, përgjegjësinë, por mbi të gjitha qetësinë që kërkojnë situatat e vështira për t’u zgjidhur”, thotë Lionel Messi në librin e Andres Iniestas, “The Artist”.
Nga viti i ardhshëm gjërat do të ndryshojnë. Kur Messi të kthejë kokën pas e të kërkojë ndihmën e Iniestas, ai nuk do të jetë më aty. Do të jetë larguar 22 vite pasi veshi për herë të parë fanelën e Barcelonës, 18 pasi njohu Messin dhe 16 vite pas debutimit të tij si profesionist me katalanasit.
Mungesën nuk do ta ndjejë vetëm Messi, do ta ndjejnë që të gjithë. Gazeta spanjolle “AS” hapej para pak javësh me titullin “Iniesta, mos u largo!”, një titull që duket se e forcon akoma më shumë bindjen e tij për t’u larguar.
Iniesta është Iniesta. Ai nuk dëshiron që të mbahet mend si lojtari që u plak në stol, që e mbylli në stol, apo iu bë barrë skuadrës me paraqitjet e dobta në mesfushë. Ai do të mbahet mend për atë që dha në 16 vite në elitën e futbollit botëror dhe bashkë me të largohet edhe “i fundit” i një epoke të artë në mesfushën e Barcelonës, largohet ai që mbyll një kapitull, për t’i lënë vendin një kapitulli të ri me shumë të panjohura.
Ai kërkon që të mbahet mend si kampioni i botës, si dy herë kampioni i Europës, si 9 herë kampion i Spanjës dhe katër herë Ligës së Kampionëve…ai do që të mbahet mend thjesht si kampioni i përulur e pa fjalë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.