Nga Gazeta Si- Në 2024 janë shtuar maturantët ‘skeptikë’ të cilët kanë aplikuar për të marrë një kopje testi, duke mos besuar tek vlerësimi që u është bërë. Në 2023 ishin rreth 11.600 aplikime për kopje testi ndërkohë që në 2024 janë rreth 14.600 maturantët që kanë aplikuar.
Sipas krahasimeve, rritjen më të madhe e ka pasur testi i gjuhëve të huaja ku nga 1884 maturantë që kanë kërkuar kopje në 2023, në 2024 janë 3284 maturantë që kanë kërkuar kopje.
Nota mesatare vjetore e Maturës Shtetërore ka pësuar rritje krahasuar me një vit më parë. Ajo vlerësohet 7.58, krahasuar me 2023-shin, ku nota mesatare vjetore e Maturës Shtetërore rezultoi 7.3.
Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Qendra e Shërbimeve Arsimore prezantuan sot raportin e detajuar mbi Maturën Shtetërore 2024 ku vërehet se edhe përqindja e kalueshmërisë në vitet e fundit është rritur.
“Ka një kalueshmëri prej 99.42%, që në fakt është një përqindje më e lartë kalueshmërie se ajo e një viti më parë, dhe në trend disa vjeçar është më e larta në këtë 5 vjeçar”, tha ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu.
Ndërkohë, nota mesatare e provimeve të maturës 2024 qëndron thuajse në të njëjtat nivele krahasuar me maturën 2023 ndërsa vlerësohet se ka një rritje në notën vjetore të Maturës Shtetërore në lëndën e Matematikës në krahasim me 2023-shin nga 6.72 që vlerësohet mesatarja e notës vjetore në Matematikë, në 2024 rezulton në 7.79.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.