Arsim

Rezultatet e maturës / Nota 5 mbizotëruese në matematikë

Nga Gazeta Si- Rreth 12 mijë maturantët kanë aplikuar për kopje testi të maturës shtetërore ndërkohë që vetëm 370 kanë aplikuar për rivlerësim. Nga këto, 321 nota kanë mbetur të pandryshuara, 14 maturantë kanë marrë ulje në notë dhe 35 kanë marrë rritje në notë.

Në të dhënat e publikuara nga Qendra e shërbimeve arsimore, vërehet se diferenca midis notës së maturës shtetërore dhe notës vjetore është më e lartë në lëndën e matematikës.

Në maturën shtetërore kanë një rritje me 3,4 dhe 5 nota rreth 800 nxënës ndërkohë që me një rënien me 3,4 dhe 5 nota janë rreth 650 nxënës.

Këto diferenca kanë ardhur nga nxënësit e rretheve, ku kryesojnë nxënësit e Patosit, Finiqit, Hasit, Kukësit, Korçës etj.

Nota mbizotëruese në Gjuhë Shqipe në vitin 2023 ka qenë nota 8 ndërkohë që nota mbizotëruese në Matematikë ka qenë nota 5.

Gjatë konferencës për shtyp, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu foli për herë të parë edhe për rezultatet në PISA, ku nxënësit shqiptarë ishin ndër vendet e fundit për njohuritë e tyre në letërsi, matematikë dhe shkencë, duke thënë se janë analizuar dhe është hartuar një plan për t’u përgatitur për testimin në vitin 2025.

“Rezultatet e PISA-s i kemi analizuar dhe do shohim në çdo shkollë pjesëmarrëse për të kuptuar se ku qëndrojnë problematikat”, tha Manastirliu, duke shtuar se duhet një angazhim i të gjithë institucioneve arsimore për të pasur në testimin e radhës rezultate më të mira.

Manastirliu tha në konferencë se plani për testimin e radhës do fillojë zbatim që këtë muaj dhe nxënësit do të testohen periodikisht për njohuritë në letërsi, matematikë dhe shkencë.

“Do testohen nxënësit gjatë gjithë vitit shkollor me teste ndërkombëtare që po përpunohen momentalisht. Do bëjmë përmirësime në sistem që të kemi rezultate. Duhet një angazhim sistematik gjatë gjithë viteve. Nuk mund të kujtohemi 2 muajt e fundit për testimin nga PISA. Duhet të punojmë që tani që të kemi rezultate. Jemi të vetëdijshëm dhe do përshpejtojmë ritmet që të kemi një panoramë reale të arsimit”, tha Manastirliu.

Gjithashtu, edhe mësuesit do të trajnohen me materiale mbështetëse për përmirësimin e mësimdhënies.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë